292  raste të reja me kancerin e gjirit, në periudhën janar - shator
BKT
Shëndetësi

292  raste të reja me kancerin e gjirit, në periudhën janar - shator

Albulena Bytyqi, Radio Kosova

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,  gjatë këtij viti shumë gra dhe vajza kanë kryer një numër të madh të mamografive, ultrazë të gjirit si dhe biopsi të gjirit. Po ashtu në Kliniken e Onkologjisë në QKUK, që nga janari deri në shtator të këtij viti janë shënuar edhe  292  raste të reja me kancerin e gjirit.

E pacientet të cilët po trajtohen në Klinikën e Onkologjisë kanë folur për Radio Kosovën për sfidat të cilat po ballafaqohen me sëmundjen dhe janë shprehur të kënaqura me stafin mjekësor në Onkologji.

Tetori, në të gjithë botën njihet si muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Pacientet, të cilat ishin duke marrë terapinë e tyre në Klinikën e Onkologjisë, kanë folur për Radio Kosovën për sfidat që janë ballafaquar në momentin kur kanë vërejtur shenjat e para të kësaj sëmundjeje.

“Duke e prekur me dorë e shoh që është diçka e fortë, e bëj ultrazërin dhe me del kancer 2 cm e gjysmë. Operohem, e hoqa atë pjesën ku ishte kanceri. Përsëri operohem pas dy javësh e prapë më doli kancer në shkallën e tretë. E hoqa gjirin, kam bërë kimioterapi, rrezatime dhe tash jam me tableta që gjashtë vite. Më kancer jam diagnostikuar që tri vite dhe kam qenë në 28 seanca rrezatime atëkohë e më vonë edhe 10 seanca. Tash prapë jam nën kontroll’, thotë një paciente për Radio Kosovën.

Pavarësisht situatës së rëndë dhe kostos së lartë që ka kjo sëmundje, pacientet thonë së janë shumë të kënaqura me stafin mjekësor në Klinikën e Onkologjisë.

“Mirë shumë na presin doktorët këtu ne Onkologji. Janë shumë të mirë dhe shumë jam e kënaqur me kujdesin e tyre. I gjithë stafi mjekësor këtu çka janë, janë shumë të mirë dhe të kujdesshëm dhe na presin shumë mirë”, thotë një paciente tjetër.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës të Onkologjisë, Arben Bislimi, tha se Klinika e Onkologjisë  ka pasur ngecje për një kohë me furnizim me barëra, por se tashmë furnizimi do të jetë më i rregullt.

“Për sa u përket barnave, kemi pasur ngecje, por tash jemi fut në binarë e sidomos për menaxhimin e kancerit të gjirit. Një sasi të barërave që kemi pasur mungesë, e kemi marrë para dy ditësh dhe do tash kemi furnizim të vazhdueshëm”, thotë Bislimi.

Ndërsa Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se që nga muaji janar deri në muajin shtator të vitit 2022, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Radiologjisë, janë kryer 1 mijë e 734 mamografi, 1 mijë e 350 ultrazë gjiri për pacientet. Sipas Raportit të punës për periudhën 9 mujore të këtij viti, janë kryer po ashtu 321 biopsi të gjirit. Ndërsa përmbyllja e fushatës për ndërgjegjësimin për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit do të shënohet si çdo vit, me ecjen, e cila do të mbahet më 28 tetor në Prishtinë dhe do të mbledhë personalitete të shumta institucionale si dhe të shoqërisë civile.


MË SHUME NGA Shëndetësi