Dogana e Kosovës: Raporti i KE-së thekson progres në fusha të rëndësishme
BKT
Foto: RTK
Ekonomi

Dogana e Kosovës: Raporti i KE-së thekson progres në fusha të rëndësishme

E.Hoti/RTKlive

Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian ka pasqyruar përparime të shumta në fusha të rëndësishme për Doganën e Kosovës.

Sipas Doganës së Kosovës, përtej sfidave të identifikuara ndër vite, raporti i fundit i Komisionit Evropian nuk ka identifikuar ndonjë sfidë të re. Përkundrazi, raporti ka gjetur progres të theksuar në fusha shumë të rëndësishme.

Raporti thekson se Dogana e Kosovës gjatë periudhës raportuese së bashku me agjencionet e tjera të zbatimit të ligjit ka bërë përparim në luftimin e llojeve të ndryshme të kontrabandës, përfshirë këtu edhe parandalimin, shtypjen dhe ndjekjen e kontrabandës së narkotikëve, sikurse që është theksuar se ka rritje domethënëse në aktivitete të orientuara drejt luftimit të ekonomisë jo formale dhe evazionit fiskal, duke konkluduar se Dogana e Kosovës dhe agjencinë e tjera të zbatimit të ligjit bashkëpunojnë mirë për të luftuar informalitetin dhe mashtrimet doganore.

Ndërkaq bazuar në aktivitetin e Doganës së Kosovës është arritur që të shkarkohen 10 zyrtar dhe të suspendohen 12 zyrtar tjerë.

“Raporti ka theksuar si gjetje pozitive edhe nënshkrimin e marrëveshjes për programin ‘Doganat’, i cili mbështet bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve doganore në BE, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët në transportin në hekurudha me Doganën e Maqedonisë së Veriut.Edhe në fushën e lehtësirave raporti thekson si të rëndësishëm progresin për miratimin e pestë të operatorit ekonomik të Autorizuar.

Në lidhje me sfidat e adresuara ndër vite për pagesat për përdorimin e terminaleve, raporti ka adresuar progresin e bërë me hapjen e terminalit të parë publik, ndërsa që progresi i më vonshëm nuk është raportuar ende në raport dhe do të pasqyrohet në raportet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Ngjashëm raporti pasqyron progresin në fushën e zbatimit të  masave doganore për mbrojtjen e të drejtave të Pronësisë Intelektuale, duke njohur progresin e bërë në fushën e inspektimeve kundër piraterisë dhe falsifikimit në krahasim me vitin 2020 ku ka pasur dukshëm më pak inspektime, kjo edhe për shkak të  pandemisë. Raporti gjithashtu e cekë se legjislacioni për masat e DPI dhe kontrollet e eksportit për mallrat kulturore është në përputhje me acqui të BE-së.

“Tek kapitulli i krimit të organizuar, veç tjerash raporti thekson se Dogana e Kosovës ka performuar mirë dhe se Dogana së bashku me agjensionet tjera dhe institucionet e linjës po bashkëpunojnë mirë për luftimin e ekonomisë jo-formale dhe krimeve në fushën e doganës”.

Dogana thotë se Ky vlerësim është i rëndësishëm për këtë institucion , pasi që konfirmon rezultatet dhe qasjen strategjike, ndërsa që Dogana mbetet e përkushtuar për të adresuar të gjitha sfidat e procesit integrues, por duke pasur referencë kryesore efikasitetin në misionin dhe përgjegjësinë që ka Dogana kundrejt qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

 


MË SHUME NGA Ekonomi