BB: Rritja ekonomike e Kosovës për këtë vit shkon deri në 3.1 %
A.Bela / RTKlive
Banka Botërore (BB) ka publikuar raportin për ekonominë në Ballkanin Perëndimor.
Massimiliano Paolucci, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, me rastin e publikimit të raportit të ri të Bankës Botërore për ekonominë në Ballkanin Perëndimor, tha se rritja në Kosovë pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind për vitin 2022, me eksportet dhe konsumin qeveritar si nxitësit kryesorë të aktivitetit ekonomik.
“Në vijim, rritja ekonomike në Kosovë pritet të ringrihet dhe të arrijë në 4.2 për qind deri në vitin 2024, me kusht që të ulen presionet inflacioniste dhe pasiguritë shoqëruese. Sidoqoftë, perspektiva mund të përkeqësohet më tej nëse vazhdojnë kriza energjetike dhe presionet inflacioniste në rritje”, ka thënë Paolucci për mes një deklarare të posutar në faqen e Bankës Botërore në Facebook’.
Sipas tij aktiviteti në eurozonë, partneri më i madh ekonomik për Kosovën, është përkeqësuar ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2022. “Si importuese neto e ushqimeve dhe energjisë, Kosova është veçanërisht e cenueshme nga inflacioni i importuar, i cili po e dëmton fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat. Në kontekstin aktual, është me rëndësi themelore të ruhen rezerva adekuate fiskale për reagim ndaj mjedisit makroekonomik në ndryshim. Në planin afatmesëm, është esenciale të avancohen reformat të fokusuara në forcimin e rritjes së produktivitetit dhe nxitjen e konkurrueshmërisë; zgjerimin e zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe mbylljen e hendekut të infrastrukturës”, tha ai, raporton RTKlive.
Duke shtuar se vlerat e ulëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe punësim, veçanërisht mes grave, paraqesin pengesa kufizuese për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë.
“Në mënyrë që të mbrohen qytetarët më të varfër, duhet të modernizohet sistemi i Kosovës për mbrojtje sociale për ta bërë më efektiv përballë goditjeve dhe sfidave më afatgjata, duke filluar nga lansimi i reformës së ndihmës sociale që duhet të targetojë qytetarët që janë me të vërtetë në nevojë dhe të lënë pas, veçanërisht në kohë krize”, tha ai.
Po ashtu sipas tij pas rimëkëmbjes së fuqishme në vitin 2021, rritja ekonomike e Kosovës u ngadalësua në fillim të vitit 2022, pasi që rritja e inflacionit dhe trondita ne energji ndikuan ndjeshëm në ekonomi.
Ndryshe sipas raportit gjatë vitit 2022, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor po përballen me një mjedis të jashtëm të trazuar. “Familjet, bizneset dhe qeveritë gjenden nën presion të vazhdueshëm. Pas rimëkëmbjes së fortë nga COVID-i në vitin 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor tanimë po përballet me një kombinim të ri të sfidave: lufta në Ukrainë, rritja e mprehtë rezultuese e çmimeve ndërkombëtare të mallrave bazë, dhe ngadalësimi i rritjes globale, përfshirë edhe në BE.
Këto sfida po ndikojnë në performancën ekonomike të të gjashtë ekonomive të rajonit, përkundër fillimit të mbarë në gjysmën e parë të vitit 2022. Lufta në Ukrainë vazhdon ta dobësojë ekonominë globale shkaku i ndërprerjeve të konsiderueshme në tregti dhe goditjeve nga çmimet e ushqimeve dhe derivateve, duke shtuar pasiguri sistemime”, thuhet në raport.























