Nulleshi: Humbjet në rrjet ishin mbi në 50 për qind
N.Mekolli /RTKlive
Komisioni Hetimor Parlamentar, në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, mbajti sot mbledhjen e saj të radhës.
Komisioni, pas miratimit të rendit të ditës për këtë mbledhje, filloi me intervistimin e dëshmitarit Edmond Nulleshi, ish-anëtar i Bordit të KEK-ut në periudhën 2006-2008, raporton RTKlive.
Pas sqarimit rreth procedurave të intervistimit dhe betimit të dëshmitarit nga ana e kryesuesit të këtij komisioni, deputeti të PDK-së, Hajdar Beqa, filluan pyetje për pozitat dhe kohën në të cilat ka qenë dëshmitari në atë kohë.
Në pyetjen e deputetit Armend Muja, se pse rryma blihej me çmim më të lartë nga “Alferoni”, në vitin 2006, dëshmitari Edmond Nulleshi tha se çmimet e energjisë i ka caktuar ZRRE-ja. “Qëndrimi im ka qenë që të mos rrezikohen interesat e KEK-ut, çmimet e energjisë i ka caktuar ZRRE-ja”, tha ai.
Kurse deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, e pyeti atë për ndalimin e punës së Bllokut A1 dhe për atë pse nuk u ndërtua Kosova C. Dëshmitari foli rreth funksionalizimit të Bllokut A.
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci e pyeti lidhur me kompensimin e pronave të marra nga KEK-u. Dëshmitari foli për çështjet e pronave të marra për qëllime të zgjerimit të mihjeve.
Dëshmitarit Nulleshi pyetje i bëri edhe deputeti i LDK,së, Armend Zemaj. Ai u interesua për bazat mbi të cilat bëhej kategorizimi i konsumatorëve në A, B dhe C, për ndaljen e energjisë.
“Ndërprerjet e rrymës bëheshin sipas faturimit të energjisë, ndaheshin në konsumatorë të rregullt, më pak të rregullt dhe të parregullt. Në atë kohë humbjet në rrjet ishin deri në 50 për qind ... Pjesa e veriut asnjëherë nuk është faturuar dhe është përfshirë në vjedhje. Gjithmonë ka pasur probleme për përcaktimin e vjedhësve, mbi 50 për qind kanë qenë humbje”, tha Nulleshi.
Zemaj e pyeti dëshmitarin edhe për raportet e Bordit të KEK-ut me ndërkombëtarët. Ndërsa Nulleshi tha se nuk di të ketë patur presion nga ndërkombëtarët gjatë votimit në Bord.
Ndryshe, ky komision ka mbajtur disa mbledhje dhe ka intervistuar disa persona.























