Rreth 3 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara në 3 muajt e fundit
BKT
Foto: RTKlive
Ekonomi

Rreth 3 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara në 3 muajt e fundit

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë të vitit 2022.

Në tremujorin e tretë të këtij viti sipas ASK-së janë regjistruar 2mijë e 722 ndërmarrje që krahasuar me tremujorin paraprak  ka një rënie për 4.0% të ndërmarrjeve të regjistruara, por nëse bëhet krahasimi i së njëjtës periudhë me atë të një viti më parë ka një rritje për 9.8% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Sipas ASK-së aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave, prodhimi, ndërtimtaria, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim etj.

Ndërkaq, Enti i Statistikave ka bërë të ditur se sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, del se me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2mijë e 650 ndërmarrje të regjistruara,  me 5 deri 9 të punësuar janë 60 sosh, me 10 deri në 19 të punësuar 10 ndërmarrje të regjistruara, me 20 deri 249 të punësuar ishin 2 ndërmarrje të regjistruara, ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujor.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, sipas ASK-së prijëse është komuna e Prishtinës me 824 ndërmarrje të regjistruara pastaj Prizreni me 223 ndërmarrje, Ferizaj me 217 ndërmarrje të regjistruara, Gjilani me 148 ndërmarrje, Peja me 130 ndërmarrje të regjistruara dhe Gjakova me 126 ndërmarrje të regjistruara.

Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.


MË SHUME NGA Ekonomi