Rizvanolli: Ka progres në zbatimin e marrëveshjes për energjinë
BKT
Foto: Visar Krasniqi/RTK
Ekonomi

Rizvanolli: Ka progres në zbatimin e marrëveshjes për energjinë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka theksuar se ka pasur progres në zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri.

Duke u përgjigjur në pyetjen e Valentina Bunjakut të LDK-së nëse do të ndërpritet kontrata me Elektroserverin, ajo theksoi: “Siç e thash ka pasur progres në zbatimin e marrëveshjes, janë paraparë aty disa hapa. Shumica prej tyre në afatin fillestar nuk kanë qenë të përmbushura nga ana e Elektroserverit, mirëpo gjatë periudhës konsultuese me palët duke përfshirë BE-në, Elektroserverin, KEDS-in, KOSTT-in e ZRRE-në ka pasur përparim në zbatimin e disa prej hapave të marrëveshjes dhe ne shpresojmë që palët do të jenë racionale dhe do të gjejnë zgjidhjet shumë shpejtë. Shpresoj se kjo çështje e pazgjidhur për 22-23 vite të zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe qytetarët nëpër komunat veriore të paguajnë energjinë e harxhuar si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.

Rizvanolli përballë Komisionit rreth furnizimit me energji

(E plotësuar) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka raportuar para Komisionit edhe lidhur me furnizimin më energji elektrike në vend si dhe funksionin e ndërmarrjeve në fushën energjisë.

Ajo ka treguar se aktualisht janë në funksion dy njësi të termocentralit Kosova A dhe dy të Kosova B.

“Në njësinë A3 remonti kapital ka përfunduar dhe është kthyer në funksion dje, ndërsa në njësinë A4 remonti kapital ka përfunduar me 3 tetor dhe prodhimi në këto dy njësi në secilën veç e veç sillet 125 deri 135 megavat orë”, tha ajo.

Tutje ka treguar se aktualisht njësia A5 është jashtë funksionit, çka nuk pritet të kthehet në punë para vitit të ri, kurse sa i përket termocentralit Kosova B gjatë verës janë kryer remontet kapitale.

“Termocentrali Kosova A ka prodhuar 1, 65 milion megavat në orë, nga 1.73 milion megavat orë që kanë qenë të planifikuara, ndërsa Kosova B e ka tejkaluar planin e prodhimit nga 2, 49 milionë megavat orë të planifikuara janë prodhuar 2, 69 milionë”, tregoi Rizvanolli.

Gjatë kësaj periudhe, ka bërë të ditur ministrja, një pjesë e energjisë tepricë është depozituar në Shqipëri, në KESH.

Tutje ka folur për milionat e ndara nga qeveria për subvencionim të qytetarëve për energji, derisa ka thënë se për shkak të numrit të madh të aplikantëve brenda 6 ditësh është mbyllur thirrja për subvencionim për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Ajo ka bërë të ditur se thirrja do të hapet prapë, derisa nuk e ka mohuar mundësinë që të rritet buxheti për subvencione nëse është e nevojshme.

Ndërkohë, kyetari i Komisionit, Ferat Shala nga PDK-ja ka kërkuar sqarime nga ministrja pse Blloku B2 pas remontit kapital nuk është kthyer në kapacitetin e plotë të punës.

“Kjo nuk do të duhej të kalohej në heshtje, pa llogaridhënie. Sikur këta megavat të konvertohen në çmimet aktuale të energjisë, ju e dini se janë dhjetëra e qindra miliona euro”, tha Shala.

Lidhur me këtë ministrja Rizvanolli ka dhënë sqarime, duke treguar se zvogëlimi i kapacitetit të prodhimit të B2 është për shkak të shkurtimit të flatrave si shkak i dëmtimit.

“Ka qenë shumë rrezik të hyhet në dimër duke qenë se prishjet do të ishin shumë më të mëdha. Prej ekspertëve është rekomanduar të shkurtohen flatrat gjë që ka ulur kapacitetin e prodhimit”, tha ajo.

Ndërkohë aty deputeti i LVV-së, Armend Muja e pyeti ministren për një kontratë të nënshkruar në 2019-n në mes të Ibër- Lepencit me  një kompani nga Shqipëria e cila ka të drejtë të shesë energjinë.

“Kontrata është nënshkruar në vitin 2019, është vazhduar nga fundi i vitit 2020. Është një kontratë problematike për të cilën edhe ZRRE e ka dënuar Ibër- Lepencin dhe rasti është raportuar në organet e ndjekjes, për hetim”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku ka kërkuar një qëndrim nga ministrja rreth rastit të ambasadorit Martin Berishaj, por Rizvanolli tha se kjo çështje i takon institucioneve relevante dhe nuk hyn në domenin e ministrisë që drejton.

Ndërkohë për mundësinë e një pagese tjetër për rrymën në veri, Rizvanolli tha se ka pasur disa përparime në zbatim të marrëveshje dhe se Qeveria është deklaruar se do të mbulojë devijimet deri në afatet e parapara të implementimit të marrëveshjes dhe jo më tej.

Vazhdohen masat emergjente në energji edhe për 30 ditë

(E plotësuar) Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar me shumicë votash vazhdimin e masave emergjente në energji edhe për 30 ditë.

Ndërkohë me propozim të shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila që njëherësh është anëtare e Komisionit, aty u votua me shumicë votash që këto masa emergjente të shqyrtohen me 8 nëntor në seancë plenare në orën 10 e 30, vetëm 30 minua para një seance tjetër të paraparë më herët.

Ministrja Rizvanolli paralajmëron vështirësi me energji gjatë dimrit

(E plotësuar) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka kërkuar nga deputetët anëtarë të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që t’i japin votë vazhdimit të masave emergjente në energji edhe për 30 ditë. Këtë thirrje ajo e bëri derisa po vazhdon raportimin para këtij Komisioni.

Rizvanolli tha se ekzekutivi kërkon një shtyrje të dytë meqë sipas saj situata me energji nuk pritet të lehtësohet, por të vështirësohet gjatë muajve të dimrit kur do të ketë edhe ulje temperaturash e do të rritet konsumi.

“Megjithëse gjatë dy javëve të fundit kemi parë ulje të çmimeve në tregun evropian si shkak i uljes së kërkesës për shkak të motit të mirë në Evropë, kjo pritet të jetë e përkohshme dhe pritet që çmimet të vazhdojnë të ngritën”, tha ajo.

Rizvanolli ka përmendur vendimet e qeverisë gjatë kësaj periudhe përfshirë edhe atë për ndalimin e eksportit dhe ri-eksportit të produkteve të drurit përfshirë edhe peletin.

“Kjo ka mundësuar qe të rritet sasia e peletit në treg dhe të evitohet ngritja e mëtejme e çmimit, duke qenë se peleti që ka qenë duke u eksportuar deri në atë moment, tash po e shitet në Kosovë”, tha tutje Rizvanolli.

Tutje ajo ka përmendur edhe vendimin për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, aktivitet që konsumon shumë energji.

“Para dy ditësh kemi pasur një aksion të policisë në veri ku është sekuestruar një sasi e këtyre pajisjeve”, tha ajo.

Kalon në Komisioni Projektligji për çmimet tavan në produktet bazë

Visar Krasniqi/RTK

Komisioni Parlamentar për Ekonomi ka votuar me shumicë votash Projektligjin për Masat Mbrojtëse të Përkohshme të Produkteve Themelore. Ky Projektligj mori në parim votat e deputetëve të enjten e javës së shkuar. Para Komisionit do të shqyrtohen edhe zgjatja e masave emergjente për energji. Sipas vendimit të Qeverisë masat do t`i paraqes para Komisionit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.


MË SHUME NGA Ekonomi