Aliu e delegacioni i OEK-ut, diskutojnë për zgjidhje të taksës ujore
BKT
Foto/OEK
Ekonomi

Aliu e delegacioni i OEK-ut, diskutojnë për zgjidhje të taksës ujore

A.B/ RTKlive

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, së bashku me përfaqësuesit e Shoqatës së Pijeve Alkoolike dhe Joalkoolike, ambalazhuesit e ujit dhe prodhuesve të lëngjeve, kanë takuar sot Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me të cilin kanë biseduar për rregullimin e legjislacionit që mbulon punën e këtij sektori të biznesit kosovar.

Takimi i iniciuar nga Kryetari Rafuna, ka pasur në thelb gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e taksës ujore, që ka rënduar mbi shumë biznese kosovare që merren me ambalazhimin dhe shitjen e ujit.

Në takimin që u zhvillua në atmosferë konstruktive, u arrit pajtimi që të formohet një grup i përbashkët që do të përgatisë Udhëzimin Administrativ që do të tejkalojë mosmarrëveshjet aktuale dhe do të rregullojë këtë sektor.

Ministri Aliu u premtoi përkrahje të vazhdueshme të gjithë prodhuesve kosovarë.

Kryetari Rafuna shprehu mirënjohje për gatishmërinë për bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe për të përkrahur anëtarët e saj, si dhe për gatishmërinë për të reaguar ndaj problemeve konkrete që parashtrojnë anëtarët e Odës.


MË SHUME NGA Ekonomi