Energji alternative apo energji e shpëtimit është energjia e ripërtërishme?
Sido që të përcaktohet aspekti terminologjik, strategjik apo definimi politik i përcaktimit të energjisë, Europa dhe bashkë me të edhe Kosova ndodhet në një rrugë të re, ku aq sa e ndali vrullin po aq edhe e përshpejtoi pushtimi i Ukrainës.
“Sulmi kundër Ukrainës për ne ishte një thirrje zgjimi referuar edhe rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimorë”, tha Ministrja e Jashte e Gjermanisë Annalena Baerbock në vizitën e saj në Kosovë gjatë muajit mars të këtij viti.
Pas shkurtit të vitit 2022 Kosova u bë një prej vendeve më të vizituara nga politikanët evropianë, për arsye të njohura dhe të panjohura.
Baerbock, e cila erdhi për vizitë në Kosovë vetëm pak ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, tha: “Në këto momente jo të lehta, jo normale, ku po jetjojmë në kohërajo normale, ne si qeveri federale jemi marrë vesh për të vendosur Ballkanin Perëndimorë në listën e prioriteteve, aty ku ai edhe i përket në krye, dhe rajoni të zhvillohet në mënyrë paqësore kjo për ne është e interesit kombëtarë”.
Energjia ndërkohë mbeti një prej temave më të rëndësishme nga këto vizita. Burimet natyrore mbetet tema më strategjike dhe (pa)siguria më e madhe në kontinentit.
“Diskutimi aktual rreth varësisë së Europës nga nafta dhe gazi rus tregojnë që ndërtimi i parqeve me energji me erë dhe paneleve solare nuk është vetëm politikë e çështjës së klimës, por edhe gjeo-politikë dhe politikë e sigurisë”, tha Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock.
Të gjendur përballë një krize të “papritur”, Evropa po qëndron e bashkuar për ta trajtuar furnizimin me energji si një e vetme, të (ndër)varur secili nga njëri-tjetri.
Në javët e fundit të tetorit, sidomos kur fillojnë edhe ditët e ftohta, vizitave të vendit iu shtua edhe vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Ballkanin Perëndimor, e cila në mes tjerash erdhi që të tregojë “Vullnet për të vazhduar në rrugën e negociatave të anëtarësimit, pas një serie krizash të njëpasnjëshme, nga COVID-19 deri te lufta në Ukrainë dhe implikimet e saj”, (por në Kosova ajo foli kryesisht për Ukrainën, furnizimin me energji dhe energjinë e rinovueshme), dhe pak ditë më parë edhe ministrja gjermane e Shtetit për Evropë dhe Klimë, znj. Anna Lühermann, erdhi për të njëjtat tema.
Foto: Presidenca e Kosovës
Pas energjisë, duket që kriza më e madhe akoma nuk ka dalë në sipërfaqe
Në konferencën për medie së bashku me presidenten e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Ursula Von der Leyen, presidentja e KE-së, tha se “Është e pabesueshme se sa i rëndë është shkatërrimi që Rusia ia ka shkaktuar popullit ukrainas.”
Ajo shtoi se “Rusia po i terrorizon qytetarët e Ukrainës, duke i bombarduar qëllimisht, duke bombarduar infrastrukturën civile me qëllim që burrat, gratë dhe fëmijët t’i lë pa rrymë, pa ngrohje derisa dimri po ofron, dhe po e shohim se Rusia po e shfrytëzon energjinë elektrike në mënyrë strategjike si armë duke i manipuluar edhe tregjet. Natyrisht se edhe ju në Kosovë e ndjeni efektin e kësaj sjelljeje të pabesueshme me rritjen e çmimit të energjisë dhe furnizimit me energji”, tha presidentja e Komisionit Evropian”, Ursula von der Leyen.
Ndërsa gjatë këtij takimi, të paktën para medieve, presidentja e Kosovës, znj.Vjosa Osmani, temë kryesore kishte liberalizimin e vizave dhe raportet me Serbinë, derisa edhe gazetarët në konferencën e njëjtë bënin pyetje për sa i përket liberalizimit të vizave, përkundër që presidentja e KE-së përsëriti se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet.
Nga krerët e institucioneve të Kosovës në vizitat me krerë të lartë të institucioneve evropiane mbeten vizat, ndërsa të paktën nga ajo çfarë u tha publikisht nga këto dy vizita si temë kryesore mbetet mjedisi, ndryshimet klimatike dhe energjia prej burimeve të ripërtërishme.
Në raporte të përvitshme të Komisionit Evropian, Kosova duhet të fillojë të prodhojë energji nga burime të ripërtërishme dhe se sistemi i skaduar energjetik mbështetet nga dy termocentrale të vjetra me linjit, që prodhojnë rreth 90% të energjisë elektrike në Kosovë, ku po ndikojnë jashtëzakonisht shumë në ndotjen e ajrit dhe problemet e tjera mjedisore.
KE: Sektori i energjisë në Kosovë është burimi kryesor i gazeve serrë
A mundet Kosova të ketë zhvillim të qëndrueshëm me prodhimin e energjisë së pastër?
Sipas të dhënave nga burime të ndryshme, vendi ynë në vit ka mbi 250 ditë me diell dhe se ky konsiderohet një potencial i madh për panelet diellore, por për t’i shfrytëzuar mundësitë diellore, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë kushte ligjore për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ndërsa, ligji për burimet e energjisë së ripërtërishme është ende në fazën e koncept dokumentit e të cilin e ka punuar qeveria, ky ligj që prej një viti ka mbetur si koncept dokument duke mos vazhduar më tej.
Mosmiratimin e ligjit e konsideron si të vonuar Burim Ejupi nga INDEP, i cili thotë se: “Ky ligj duhet të jetë bazë për zhvillimin e BRE-së (Burimet e Ripërtërishme të Energjisë) dhe nëse e marrim parasysh strategjinë apo draft strategjinë që e ka publikuar qeveria si draft, e vërejmë që sipas strategjisë deri në vitin 2031 parashihet të prodhohet deri në 1200 MËh energji të ripërtërishme”, thotë ai.
Strategjia 2020 - 2031 me prodhimin e energjisë së ripërtërishme deri 1200 MWh
Ligji për BRE-në sipas Ejupit, është baza që të fillojnë ankandet apo çfarëdo investimi në fushën e energjisë së ripërtërishme, kështu që vonesat e mëdha të mos miratimit të ligjit vetëm se do ta vështirësojnë zbatimin e strategjisë. Ai për Radio Kosovën tha se ” Ky vit shkoi (2022) e deri në janar të vitit të ardhshëm kanë mbetur edhe dy muaj dhe 2031 është edhe tetë vjet dhe dihet se ky ligj është jetik që të fillojmë me investimet në energjinë e ripërtërishme të energjisë”.
Kosova nuk duket aq e zymtë sa qymyri, por mund t’i japim shkëlqim me ditët e diellit që numërojmë. Për këtë fakt është e interesuar edhe Gjermania që ta mbështesë Kosovën, këtë e konfirmon ardhja e ministres gjermane, Znj. Anna Lühermann, Ministre e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale./RTK-radio 1
Luhermann vizitoi vendin ku do të ndërtohet parku solar në ish deponinë e hirit të Kosovës A
Foto: Behare Bajraktari - Deponia e hirit Kosova A - KEK
Nesër vazhdon pjesa e dytë... A ka burokraci në Kosovë?