Shala para Komisionit: Shitblerja e energjisë nuk ishte përgjegjësi e imja
Valjeta Shala /RTK
Komisioni Hetimor Parlamentar, në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, mbajti sot mbledhjen e saj të radhës.
Komisioni, pas miratimit të rendit të ditës për këtë mbledhje, filloi me intervistimin, online përmes platformës ZOOM, të dëshmitarit Ahmet Shala, ish-ministër i Ekonomisë në periudhën 2006-2011, kurse Lutfi Zharku, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë mungoi, pasi sipas kryesuesit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, ai ishte jashtë vendi.
Pas sqarimit rreth procedurave të intervistimit dhe betimit të dëshmitarit nga ana e kryesuesit të këtij komisioni, deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, filluan pyetjet për pozitat dhe kohën në të cilat ka qenë dëshmitari, në atë periudhë kohore.
Deputeti Beqa pyeti të intervistuarin për kompetencat dhe përgjegjësit e ish ministrit në shitblerje të energjisë elektrike, rënies së blloqeve dhe në caktimin e çmimit të energjisë.
Ahmet Shala, ish-ministër i Ekonomisë, tha se pas shpalljes së pavarësisë janë bërë konform ligjeve të asaj periudhe. “Sigurisht me shpallje të pavarësisë dhe komform ligjeve në atë kohë, në një nga ligjet kanë qenë vijat e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në secilin digaster”, tha Shala.
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci kishte tri pyetje për ministrin Shala, e para kishte të bënte me zhvendosjen e fshatit Hade.
Shala tha se kishte vërejtje, neglizhencë edhe në atë kohë rreth zhvendosjes së banorëve të fshatit, por nuk i di detajet, ngase, sipas tij, kjo nuk ishte përgjegjësi e ministrisë së tij. “Shitblerja ka të bëjë me përgjegjësit e KEK-ut”, tha Shala.
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, pyeti Shalën për raportin e vitit 2008, kur u prezantua një raport për abuzimin për shpronësimin në Hade. “A mund të na thoni cili ka qenë përmbajtja e atij raporti”.
Shala tha se për aq sa i kujtohet, kjo çështje ka filluar më herët dhe aq sa ai e di ka pasur shqetësime për vonesa ne atë çështje, nga shumë ministri. “Nuk më kujtohen detajet, por ka pasur neglizhencë”, tha Shala.
Bajqinovci e pyeti dëshmitarin se a kishte ai përgjegjësi për blerjen e rrymës? Shala mohoi të kishte përgjegjësi për këtë.
Kurse deputeti Armend Muja, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pyeti dëshmitarin se kur është themeluar kompania për furnizim dhe distribuim.
Ish- ministri Shala tha tha se kjo pyetje ka të bëjë me KEK-un. “Gjitha procedurat e privatizimit janë bërë komform ligjit për ndërmarrjet publike”, tha Shala
Muja vazhdoi me pyetjen për privatizimi, për çka Shala tha se nuk ka pasur ndonjë konflikt procedural apo ligjor. “Fillimi i një procesi nuk d.m.th. mohimi i një procesi tjetër”, tha ai.
Kurse deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se sa është respektua ajo strategji dhe vendimet që janë dalë nga qeveria dhe kuvendi, strategjia e vitit 2005-2015.
Shala tha se “të gjitha procedurat në Ministri kanë qenë në nivel evropian”. “Mendoj se shoqëria kosovare ka dështua në sektorin e energjisë. E kemi humb momentin e vitit 2008 që të jemi forcë prodhuese e energjisë”. tha Shala. Sipas tij, kjo qeveri duhet ta rikonsultojë atë kohë dhe strategji dhe të veprojë shpejt se është duke humbur hapin.























