Di Bella nga FMN: Pavarësia e BQK-së është kruciale për Kosovën
A.Bela / RTKlive
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella, zhvilloi një vizitë në Prishtinë nga 25 tetori deri më 4 nëntor, në kontekst të konsultimeve në kuadër të Nenit IV për vitin 2022.
Në përmbyllje të vizitës sot është mbajtur konferencë për medie me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, nga Gabriel Di Bella dhe Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, raporton RTKlive.
Shefi i misionit për Kosovën nga FMN-ja, Gabriel Di Bella, tha se ruatja e pavarësisë së Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës, është kruciale për vendin. “Pavarësia e BQK është gurthemel i bazës së ekonomisë në vend dhe kjo vlen për të gjitha vendet e botës. Në Kosovë kjo pavarësi respektohet, dhe ne nuk mund ta theksojmë sesa e rëndësishme është. Fakti që e ne ripërsëritim raportet tona për pavarësinë e BQK-së, nuk do të thotë kjo që nuk ka pavarësi”, tha Di Bella.
Sipas FMN-së pasojat e luftës në Ukrainë janë duke ndikuar gjithnjë e më shumë në aktivitetin ekonomik të Evropës dhe nivelet e inflacionit dhe Kosova nuk bën përjashtim. Po ashtu sipas FMN-së, Realizimi i të hyrave më të medha fiskale, kanë mundësuar Qeverisë të zbusë ndikimin nga tronditjes tregtare tek ekonomitë familjare dhe bizneset, duke rimbushur edhe rezervat e likuiditetit.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se sistemi financair në vend ka arritur të jetë stabil dhe likuid.
"Sektori bankar ka pasur trend pozitiv, vlera e aseteve është rritur, po ashtu edhe kreditë", tha ai. Sipas tij edhe pandemia është menaxhuar mirë, si dhe po menaxhohet mirë edhe në këtë kohë të luftës në Ukrainë.
Mehmeti bëri me dije se edhe sektorët tjerë si sigurimet, mifrofinancat, kanë pasur trend pozitiv.
FMN: Rritja e inflacionit ka rritur kostot e investimeve
Ndërsa shefi i misionit për Kosovën nga FMN-ja, Gabriel Di Bella, ka folur për vizitën që FMN po i bën Kosovës. Ai tha se FMN është e gatshme të ndihmojë Kosovën.
Sipas tij BQK-ja është partner i besueshëm.























