BEI i ofron mbështetje Ballkanit Perëndimor në agjendën e gjelbër
BKT
Ekonomi

BEI i ofron mbështetje Ballkanit Perëndimor në agjendën e gjelbër

B. Halimi / RTKlive

Zëvendëspresidentja e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Lilyana Pavlova ka mirëpritur angazhimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e sigurisë së energjisë, teksa i ka ofruar sërish mbështetjen e bankës për tranzicionin e gjelbër të rajonit në Samitin e Procesit të Berlinit.

Sipas njoftimit të BEI-së, kjo bankë po rrit mbështetjen financiare dhe teknike për të ndihmuar rajonin të përparojë me agjendën e gjelbër, të diversifikojë sektorin e energjisë dhe të rrisë fleksibilitetin ndaj ndryshimeve klimatike.

Duke iu referuar paketës së energjisë për Ballkanin Perëndimor të njoftuar së fundmi nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zëvendëspresidentja Pavlova e theksoi këtë paketë si një demonstrim të qartë të solidaritetit të BE-së me rajonin.

“Diversifikimi i përzierjes së energjisë dhe rritja e rezistencës së rajonit ndaj ndryshimeve klimatike do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët. Si bankë e BE-së, BEI do t'ju shoqërojë gjatë gjithë këtij udhëtimi. Ne do të vendosim përzierjen tonë gjithëpërfshirëse të huadhënies, përzierjes dhe shërbimeve këshillimore në qendër të këtyre përpjekjeve. Si gjithmonë, ne do ta bëjmë këtë së bashku me partnerët dhe qasjen e Ekipit të Evropës për zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investimeve të Bashkimit Evropian”, citon fjalët e Pavlovës njoftimi i BEI-së.

Tutje thuhet se në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian dhe partnerët e tjerë të “Team Europe”, BEI Globale po punon në mënyrë aktive për të kryer një sërë investimesh për energjinë e rinovueshme në rajon, si ferma e erës në Vlashiç dhe centrali diellor në Obiliq. Në të njëjtën kohë, banka po zhvillon një instrument financiar novator për rajonin, në mënyrë që të nxisë energjinë më të pastër, përshtatjen klimatike dhe zhvillimin e gjelbër teknologjik, si dhe për të stimuluar investimet e sektorit privat në tranzicionin e gjelbër dhe digjital.

“Në veçanti, ne do të punojmë me ju për energjinë e rinovueshme - për të shfrytëzuar potencialin thelbësor për energjinë eolike dhe diellore në rajon.  Ne do t'ju ndihmojmë të bëni investime më efikase në rrjetet elektrike dhe infrastrukturën e depozitimit, dhe që të mund të mbështeteni mbi BEI-në për t’u siguruar që efikasiteti energjetik të jetë pjesë përbërëse e të gjitha investimeve tona në transport, zhvillimin urban, strehim, menaxhimin e mbetjeve ose zhvillimin e sektorit privat”, ka nënvizuar zëvendëspresidentja e BEI-së, Pavlova.

Në vitin 2022, BEI Globale ka ofruar tetë grante teknike me vlerë mbi 8 milionë euro nën Iniciativën e saj për Rezistencën Ekonomike për projektet e efiçiencës së energjisë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë projektin e banesave sociale në Tiranë dhe sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.

Tutje thuhet se banka e BE-së do të vazhdojë të forcojë sigurinë energjetike, bashkëpunimin rajonal dhe lidhshmërinë, të cilat janë thelbi i Procesit të Berlinit dhe pjesë e angazhimeve të miratuara nga liderët e Ballkanit Perëndimor në samit.

“Shpejtësia dhe saktësia me të cilën do të zbatoni marrëveshjet që keni arritur në këtë samit sot për energjinë dhe tranzicionin e gjelbër - dhe për lëvizshmërinë më të madhe për të përmirësuar tregun tuaj të përbashkët rajonal - do të përcaktojë se sa shpejt mund të vijnë përfitimet për qytetarët tuaj”, e ka përmbyllur adresimin e saj zëvendëspresidentja e BEI-t.

BEI Globale ka investuar 9.5 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2009, duke kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës jetike, rritjen e sektorit privat, si dhe në rrjetin më të sigurt dhe të larmishëm të energjisë.


MË SHUME NGA Ekonomi