Kurti e Hykolli pajtohen të zgjidhin temat e diskutuara
Visar Krasniqi/RTK
(Plotësuar) Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykolli.
Siç merr vesh RTK, diskutimet janë fokusuar në të gjitha çështjet që më herët janë ngritur nga Bashkimi I Sindikatave të Kosovës, siç është miratimi sa më shpejt i projektligjit për pagat, Marrëveshjen kolektive, pagesa e anëtarësisë, zgjatja e shtesave si mbështetje për punonjësit publik.
Pas takimit Hykolli, i tha RTK-së se me Kryeministrin, u diskutua për zhvillimet e fundit sindikale e sidomos theksi u vu në deklarimin e anëtarësisë në sistemin e-Kosova.
Po ashtu u diskutua edhe për shqyrtimin e komenteve të BSPK-së, dhënë për projektligjin për pagat, e që pritet së shpejti të shqyrtohen e të analizohen. “Besojmë fort se ky proces do të kryet së shpejti”, tha Hykolli.
Kurti në takim me kreun e BSPK, temë është Ligji i Pagave
Pas takimit me kryetarët e tri partive opozitare në vend, kryeministri Albin Kurti ka hyrë në një takim tjetër. Por këtë herë, për të folur për çështje jo politike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po zhvillon një takim me Atdhe Hykollin, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Takimi i planifikuar më herët, është pjesë e takimeve që Kurti ka zhvilluar me Hykollin. Por gjithnjë larg pranisë së medive.
RTK ka kuptuar se takimi i sotëm ka të bëjë me temat të cilat i kishin shoqëruar edhe gjatë grevës së përgjithshme pesëjavore, që u shpallën nga BSPK: Ligji i Pagave; Marrëveshja Kolektive; Kuota e anëtarësisë..etj.
RTK pyeti Hykollin rreth takimit të sotëm.
"Po, takimi është për temat që i kemi diskutuar para dhe gjatë grevës", tha ai.
Temat rreth vonesës së miratimit të ligjit për pagat, patën përplasur fort Qeverinë me BSPK-në, e në veçanti sindikatën e Arsimit - SBASHK.























