Gjukaj: KEK-un e gjetëm në minus, e dorëzuam me 83 milionë euro plus
BKT
Foto: Valjeta Shala
Ekonomi

Gjukaj: KEK-un e gjetëm në minus, e dorëzuam me 83 milionë euro plus

Valjeta Shala /RTK

Ish-drejtori i KEK-ut në periudhën 2008-2013, Arben Gjukaj po raporton para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Pjesë e këtij raportimi ishin edhe ish-anëtarët e Bordit të KEK-ut, Agim Nika, Ismail Januzit, Izet Ibrahimi dhe Flamur Keqa, derisa mungoi kryetari i Bordit, Fadil Çitaku.

Gjukaj duke folur për gjendjen në të cilën e kishte marrë kompaninë nën drejtim ka thënë se ajo ka qenë shumë e rëndë.

“Kompaninë e kemi gjetur me humbje prej 56 përqind të energjisë, me furnizim 3 me 3 në Prishtinë dhe më 2 me 4 në zonat e tjera. Me prodhim 3 teravat, me 78 milionë euro të hyra dhe realisht pa qymyr. Derisa e kemi  dorëzuar kompaninë në vitin 2013 me 95 përqind të inkasimit, duke i zvogëluar humbjet teknike dhe komerciale për 70 përqind. Pas dy vitesh e kemi kthyer furnizimin pa reduktime, e kemi dyfishuar prodhimin e energjisë nga 3 teravat në 6.3 teravat dhe falë një projekti kemi filluar të kemi prodhim të qymyrit me tonelata në Sibovc”, ka theksuar në fillim të raportimit Gjukaj para këtij komisioni.

Ai ka thënë se kur e kanë marrë drejtimin e KEK-ut, kompania ka qenë minus 17 milionë euro në bankë, derisa pas dorëzimit të pozitës menaxhuese e ka lënë kompaninë me 83 milionë euro plus.

Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, pyeti Gjukajn nëse humbjet u janë faturuar qytetarëve në tarifa.

“ZRRE është përgjegjëse për tarifat. Ne kemi ngritur të parët çështjen e mosfaturimit të energjisë në veri. ZRRE është dashur të krijojë kushte për shtrirjen e autoritetit edhe në atë pjesë”, është përgjigjur Gjukaj.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, pyeti Gjukajn se kë e takuar për një marrëveshje për kontraktim të një kompanie për zonën e veriut dhe ku ka marrë leje për propozimin e ndërmarrjes “Esko”.

Por, Gjuka theksoi se kjo është një informatë e ndjeshme për të cilën ndoshta duhet të japë përgjigje me seancë të mbyllur.

Më pas ndërhyri Armend Zemaj, i cili theksoi se nëse është marrëveshja publike mund të flitet përmbajtja e marrëveshjes, nëse ajo është në harmoni me legjislacionin.

“Do të flasë për marrëveshjen dhe jo për planin sepse është sensitiv. Kur e morëm drejtimin e kompanisë ne kemi shtri autoritet edhe në atë pjesë. Në atë kohë KEK-u ka bërë plan se si të qasemi në atë pjesë. Nuk është kompania ‘Esko” por marrëveshja ka qenë ‘Esko’”, ka theksuar Gjukaj, i cili ka thënë se nuk është diskutuar për asetet, derisa ka thënë se për takimet është konsultuar me palët e interesit dhe ato janë realizuar me faktorin ndërkombëtar, derisa në dijeni kanë qenë edhe ministri i linjës dhe kryeministri.

Armend Muja më pas pyeti nëse ndonjëherë është bërë import i energjisë me preferenca qeveritare dhe nga ZRRE.

“Kërkesat për blerje bëhen nga një departament i kualifikuar dhe Kosova ka blerë energji sipas ligjit”, ka thënë Gjukaj.

Ai nga Armend Zemaj është pyetur edhe për shthurjen e KEK-ut dhe formimin e shoqërive aksionare.

“Kur e mora përgjegjësinë kompania ka qenë e shthurur. Kishte departamente të ndara dhe asete të ndara”, tha Gjukaj.

Ai është pyetur edhe për blerjen e banesës, teksa tha se nuk turpërohet për asnjë veprim. “Nuk turpërohem për asgjë. Nga terri e kam bërë dritë. I kam shërbyer qytetarëve pa dallim. Nuk kam vjedh”, ka shtuar ai.


MË SHUME NGA Ekonomi