Rafuna: Për shkak të inflacionit, qeveria t`i ngritë pagat
Arbenita Marmullaku, Radio Kosova
Kryetari i Odës Ekonomike në një intervistë për Radio Kosovën ka folur për inflacionin në vend, krizën e energjisë, çështjen e pagave si dhe për mungesën e investimeve të huaja direkte.
Radio Kosova: Kosova po përballet më shkallë të gjerë inflacioni si pasojë e krizës globale, a mund ky inflacion të kalojë në faza të tjera?
Lulzim Rafuna: “Një fakt është i vërtetë që duhet pasur shumë kujdes dhe duhet trajtuar sfidat e biznesit në vend, për arsye se bizneset e shëndosha ndikojnë në zhvillim ekonomik të vendit. Kështu që qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe duhet t’i përcjellë trendët në Bashkimin Evropian e të jetë e përgatitur edhe me paketë të ndihmës së gjerë, në mënyrë që biznesi ta kalojë më lehtë e pa pasoja situatën apo sfidën në të cilat po kalon. Sfidë është inflacioni i cili është më i larti ndonjëherë. Çdo lëvizje në Bashkimin Evropian ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit tonë dhe bizneset. Duhet shtuar edhe mos shpenzimin e shumës së buxhetit të vitit 2022 i ndarë për projekte kapitale si dhe çështja e krizës energjetike, ku bizneset janë në terr informativ se çka do të ndodhë, a do të rritet çmimi i energjisë, a do të ketë reduktime apo jo?!. Do të thotë nuk ka informacione nga qeveria për planet e saj në mënyrë që bizneset të përgatisin vetën, por edhe në anën tjetër qeveria ta shohë se çka mund t’i ndihmojë biznesit në këto raste.
Radio Kosova: Është paralajmëruar dimër i vështirë me furnizim të energjisë elektrike. A mund ta dimë ndikimin e kësaj çështjeje në ekonomi të vendit?
Lulzim Rafuna: Shtrenjtimi i energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarit, biznesit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Çdo ngritje e energjisë elektrike ndikon te biznesi, për arsye se rrit koston e prodhimit dhe pastaj është zinxhir rritja, duke u shprehur te konsumatori. Në momentin që ka rritje të çmimit të produktit, atëherë kërkesa për atë mall bie dhe kur bie kërkesa, bie edhe prodhimi. Shumë biznese kanë kontrata të lidhura më shumë blerës në BE dhe e kanë të vështirë t’i lëvizin çmimet, por përtej kontratës që kanë lidhur në anën tjetër, nuk kanë mundësi të punojnë me humbje dhe kështu do t’i humbin edhe ato tregje që i kanë siguruar me shumë mund në rajonet e BE-së, por edhe në vende të tjera. Për këtë arsye, qeveria duhet të parashohë një mundësi të krijimit të një pakete e cila në rast se rritet çmimi i energjisë, subvencionon diferencën e çmimit të energjisë elektrike në të mirë të biznesit dhe në të mirë të ekonomisë së vendit. Kështu kanë vepruar shumë qeveri në vende të BE-së.
Radio Kosova: Duke pasur parasysh se çmimet po rriten, a do të duhej që në raport me inflacionin të ketë edhe rritje pagash në vend?
Lulzim Rafuna: Qeveria ish dashur në minimumin e inflacionit të indeksojë pagat. Kjo do të ishte e mirëseardhur sepse, me këtë, jo vetëm që rritet konsumi por rritet edhe besueshmëria, e qytetaret fillojnë të shpenzojnë, sepse ata kanë filluar të kursejnë, duke bërë që të bie konsumi. Kur bie konsumi, ka sasi më pak të mallit të prodhuar por edhe tkurrje të ekonomisë. Ne jemi me një situatë kur na duhet t’i përdorim të gjithë mekanizmat e mundshëm. Pra, nëse sot qeveria si rezultat i inflacionit vetëm në doganë ka mbledhur më shumë se 80 milionë, atëherë pa problem këtë shumë mund ta shpërndajë në paga dhe këto para do të qarkullojë në Kosovë dhe do të ketë ndikim zinxhiror.
Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e ka një nen që thotë se qeveria duhet të rrisë pagat në nivelin e rritjes ekonomike të vitit të fundit. Përveç që është obligim ligjor e ka edhe rekomandim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që është rast i rrallë që rekomandon për rritje pagash. Dhe është nevojë urgjente për shkak të inflacionit sepse ka humbur vlera për para, atë çka kemi mundur ta blejmë me 500 euro vitin e kaluar, në këtë vit nuk mund ta blesh me 700 euro. Minimumi që duhet qeveria apo institucionet t’i rrisin pagat janë nën nivelin e inflacionit e çdo përqindje tjetër është e mirëseardhur.
Radio Kosova: Në këtë drejtim si është gjendja e sektorin privat në Kosovë?
Lulzim Rafuna: Sektori privat ka lëvizur me paga, çdo ditë i shoh në terren në vizita. Nuk është gjendja e keqe ashtu siç paraqitet, po flasim brenda mundësive në një situatë të jashtëzakonshme. E rëndësishme është se sektori privat ka lëvizur dhe do të lëvizë tutje e në rast se paraqitet nevoja për prodhim, atëherë sektori privat ka nevojë për punëtorë dhe atyre ekzistuesve do t’ua rrisë pagat.
Radio Kosova: Si qëndron gjendje e investimeve të huaja në këtë kohë krize?
Lulzim Rafuna: Lidhur me investimet e huaja direkte gjendja nuk është e mirë. Ka mundur dhe duhet të ketë më shumë investime. Kjo nuk është si rezultat vetëm i rrethanave apo kushteve që ka Kosova, është trend shkaku i luftës në Ukrainë, por është edhe një lëvizje e rendit të tregtisë botërore. Shumë biznese evropiane që kanë qenë të koncentruar në Kinë, tani po lëvizin nga Amerika Latine në të bërit biznes. Kështu që duhet pasur kujdes ne si Kosovë, sepse kemi nevojë për investime të huaja e kualitative, nuk po flasim për diasporën që blejnë banesa, por në këtë rast po kërkojmë investime që shtojnë prodhimin, që rrisin punësimin dhe eksportin e që ngritin mirëqenien e qytetarit. Duhet të gjitha institucionet të jenë shumë agresive, në mënyrë që të sjellin investitorë në vendin tonë , për të mirën e vendit.























