Vendosja e stikersave ka ndikuar në zvogëlimin e aksidenteve në trafik
Ekonomi

Vendosja e stikersave ka ndikuar në zvogëlimin e aksidenteve në trafik

Fadil Sertolli / RTKlive

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit sot filloi fushata: përkujto, mbështet, vepro, e cila fushatë organizohet tani e tetë vite me radhë në vendin tonë.

Lidhur me fillimin e kësaj fushate zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve të njerëzve, dëmeve materiale dhe në përgjithësi në botë janë duke u bërë shkak i tragjedive të mëdha personale.

Madjes sipas tij, aksidentet rrugore po krijojnë kosto të mëdha sociale dhe kosto ekonomike, lëndime të njerëzve si dhe shkaktim të dëmtimeve të pronës publike si dhe të asaj private.

“Çdo vit mëse 1.17 milionë njerëz vdesin nga aksidente rrugore, në gjithë botën. Çdo vit mëse 10 milionë njerëz gjatë aksidenteve janë lënduar lehtë ose janë lënduar rëndë. Aksidentet në trafikun rrugor paraqiten si problem multidisciplinar, rrjedhimisht edhe përballja me këtë problem, kërkon angazhimin e të gjithëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi sukses, në uljen e aksidenteve, rrjedhimisht në numrin e personave të vdekur në trafikun rrugor, që paraqitet si problem serioz për të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Për një vit nga 2020 deri në vitin 2021, në rrugët e Kosovës, kanë humbur jetën 192 persona, një shifër shqetësuese”, tha ai.

Durmishi tha se ministria dhe institucionet tona janë duke investuar në çështjen e sigurisë rrugore. “Që nga viti 2017 e deri në këtë vit, në 37 për qind të territorit të Kosovës, nuk ka pasur kontrata për mirëmbajtje dhe sinjalizim. Këtë vit i kemi gjashtë kontrata të nënshkruara, dhe aktualisht janë realizuar më 80 për qind të këtyre kontratave në rrjetin e sinjalistikës në gjithë territorin e Kosovës. Kjo ndikon jashtëzakonisht shumë në sigurinë rrugore", tha ai.

Po ashtu, Durmishi tha se do të kujdesen që në vazhdimësi të kenë kontrata të tilla edhe në vitet në vazhdim, që të rregullohet sadopak gjendja në aspektin e sinjalistikës.

"Të gjithë ne jemi pjesëmarrës në trafikun rrugor, e që njëkohësisht të gjithë ne jemi përgjegjës për sigurinë në komunikacionin rrugor, dhe secili nga ne mund të kontribuojmë në dobi të gjendjes së përmirësimit të në trafikun rrugor. Edhe këtë vit, ne si MMPHI, së bashku me institucionet tjera, po realizojmë aktivitete për shënimin e kësaj dite, me urimet që vitet e ardhshme të kemi sa më pak aksidente rrugore, sa më pak të vdekur dhe të lënduar në trafik”, tha ai.

Ndërkaq, nënkolonel Jeton Rexhepi, theksoi se Policia e Kosovës është duke punuar në rritjen e sigurisë së qytetarëve, në lëminë e sigurisë rrugore në trafikun rrugor.

“Nga nesër fillon, sezoni dimëror, andaj bëjmë thirrje tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, që t’i përshtaten kushteve dhe rregullave të parapara me Ligj. “Të mos përkujtojmë viktima por të jetojmë së bashku”, tha Rexhepi.

Në anën tjetër Muhamed Krasniqi nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit (AMRKS), tha se të gjitha institucionet duhet që të bashkohemi lidhur me rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor. Njëherit Krasniqi kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të hetohen detajisht shkaktarët e aksidenteve.

Ndërkaq, Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, theksoi se ka shënuar rënie e aksidente pas vendosjes së stikersave që identifikojnë automjetet  e regjistruara.

Sipas tij, që nga vendosja e stikersave, numri i aksidenteve ka rënë për 200-250 aksidente më pak.

Mazreku tha se do ta përmbushin obligimin që kanë që të gjitha viktimat të përfitojnë nga kompensimi i dëmeve. Sipas tij, vendosja e stikerëve për veturat e regjistruara ka ndikuar që të zvogëlohet numri i aksidenteve për 250 më pak.

“Është shqetësuese rritja e numrit të rasteve me lëndime të lehta. Është me rëndësi të theksohet një projekt vendosja e stikerave e ka rritur sigurinë në trafikun rrugor. 250 aksidente më pak kemi tani dhe siguri me të lartë. Ne përkrahim këtë kampanjë dhe jemi pjesë e saj”, tha Mazreku.

Kjo fushatë do të zgjasë një javë, duke u zhvilluar aktivitete të ndryshme nëpër shkolla  për vetëdijësimin e nxënësve lidhur me sigurinë në trafikun rrugor, do të organizohet tryezë diskutimit: “Drejtësia në raport me aksidentet rrugore në Kosovë“, postimet e materialeve lidhur me sigurinënë komunikacionin  rrugor për të gjithë pjesëmarrësit, përmes publikimeve dhe shfaqjeve të videove në televizione dhe radio.

Ndërsa me 20 nëntor, në sheshin “Zahir Pajaziti” do të vendoset instilacioni me mbishkrimin:” Drejtësi”.


MË SHUME NGA Ekonomi