Përplasje pozitë-opozitë për BQK-në, Lushtaku lëshon mbledhjen
Ekonomi

Përplasje pozitë-opozitë për BQK-në, Lushtaku lëshon mbledhjen

M.Miftari /RTKlive

Deputeti Mërgim Lushtaku nga radhët e PDK-së, që në fillim të mbledhjes së Komisionit ka propozuar që si pikë e rendit të ditës të jete grupi punues për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit për BQK-në që të angazhojë dy ekspertë për këtë çështje,derisa deputeti nga radhët e LVV-së, Armend Muja, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet e Financa, ishte i mendimit që për këtë çështje duhet trajtuar si pikë të veçantë dhe duhet propozuar tri ditë para mbledhjes.

“Si grup punues ne mund të dakordohemi të vendosim si pikë të rendit të ditës, sa di unë ju nuk jeni anëtar i grupit punues”, iu drejtua Muja deputetit Lushtaku.

“A je i sigurt që nuk jam në grupin punës?”, iu përgjigj deputeti Lushtaku.

 Pas kësaj replike, deputeti Muja bazohej në rregulloren e punës në mbarëvajtjen e mbledhjes. Ky qëndrim ka shkaktuar përplasje mes tyre, për ç’shkak deputeti Lushtaku lëshoi mbledhjen.

Po për këtë çështje reagoi deputeti Hoti, i cili, si kryetar i grupit punues për BQK-së tha se për këtë çështje ka njoftuar Komisionin që nga muaji maj.

“Lidhur me këtë çështje kam njoftuar që nga maji i këtij viti dhe që nga atëherë kemi mbajtur dy mbledhje si grup punues, kemi miratuar planin e punës kemi propozuar ekspertët ku nuk kemi pasur dakordime për emrat e ekspertëve dhe ju asnjëherë nuk keni nxjerrë në rend dite votimin ose shqyrtimin e emrave, prandaj propozoj që kjo punë të shtyhet për vitin e ardhshëm sepse tani jemi në fund të vitit dhe kjo çështje nuk mund të kryhet shpejt”, deklaroi Hoti.

Më tej, ai sqaroi se propozimi i tij ishte që kjo çështje të vendoset kur të jenë prezentë i gjithë komisioni, derisa shtoi se duke neglizhuar ju këtë çështjen e emrave, kemi ardhur në këtë pikë, ndaj nëse ka vullnet le të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës, që më pas është vazhduar sipas rendit të ditës siç është paraparë: shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik; shqyrtimi vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik; shqyrtimi i kërkesës të grupit punues për mbikëqyrjen ë ligjit për BQK; si dhe shqyrtimi i raportit të shpenzimit në Kuvendin e Kosovës për 9-mujorin e vitit 2022.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj, për raportin e punës për vitin 2021 njoftoi për realizimin e kontratave publike, kriteret e tyre, etj., derisa njoftoi për sfidat e punës së tyre gjatë pandemisë së Covid-19 dhe lufta në Ukrainë.

“Përpos trajnimeve të rregullta, kemi filluar në mënyrë të theksuar për menaxhimin e kontratave”, sqaroi Vishaj para Komisionit për Buxhet e Financa të Kuvendit të Kosovës.

Vishaj tha se në vitin 2020 vlera e kontratave ka qenë mbi 499 milionë euro kurse në vitin 2021 mbi 420 milionë euro, duke shtuar se ka një zvogëlim për afër 70 milionë euro.

“Gjatë vitit 2021 në Kosovë janë evidentuar 160 autoritete kontraktuese dhe gjatë vitit 2021 në tërë Kosovën janë nënshkruar 9 892 kontrata, ndërsa gjatë viti 2020 janë nënshkruar mbi 10 mijë kontrata, ndërsa nëse e kthejmë në vlera monetare, në vitin 2019 vlera e kontratave kanë qenë 781 milionë euro, kurse në vitin 2020 kanë qenë mbi 499 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 mbi 420 milionë euro, pra kemi një zvogëlim për afër 70 milionë euro”, tha ai.

Por në mungesë të kuorumit, raporti vjetor i KRPP-së, u shty për mbledhjen e radhës.

E në pikën tjetër të rendit të ditës- shqyrtimi vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik- kryetarja  e këtij organi, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, bëri të ditur se megjithë numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura, kanë mungesë të stafit dhe objektit.

Tutje ajo njoftoi se nga shkaku i mungesës së Bordit nuk kanë arritur të trajtohen nga OSHP-ja lëndët gjatë vitit 2021, rrerth 626 lëndë, si dhe 192 sosh gjatë vitit të sivjetmë.

Ndërkaq deputeti Armend Muja, kryetar i Komisionit vuri në pah vërejtjet e tij për këtë organ, ku sipas tij, raporti për vitin 2021 është marrë copy-paste nga viti 2021.


MË SHUME NGA Ekonomi