KESCO dhe KEDS-i gjobiten nga ZRRE-ja
Ekonomi

KESCO dhe KEDS-i gjobiten nga ZRRE-ja

B.H./RTKlive

KESCO dhe KEDS janë ndëshkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). KESCO është gjobitur me 8.4 milionë euro, derisa KEDS-i me 2.7 milionë euro. Vendimi është marrë, të mërkurën, në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.

“Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar vlerësimin përfundimtar në lidhje me gjetjet e prezantuara nga stafi profesional i ZRRE-së në raportet e monitorimit dhe ka miratuar propozimin për masat administrative me gjobë për KESCO ne vlerën prej 8,4mil€ dhe për KEDS ne vlerën prej 2,7mil€”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Bordi i ZRRE-së shqyrtoi dhe miratoi dy kërkesa për licencë të furnizimit me shumicë (tregti) të energjisë elektrike, si dhe ka miratuar parametrat rregullator për KOSTT dhe KEDS  për periudhën 2023-2027. Bordi i ZRRE-së, shqyrtoi raportet fillestare të monitorimit për KOSTT dhe KEK, pas shqyrtimit Bordi i ZRRE-së, ka vendosur që raportet t’ju dërgohen palëve për të ofruar komentet e tyre me shkrim për shkeljet e gjetura, brenda katërmbëdhjetë (14) ditësh nga pranimi i  raporteve.

Gjithashtu, Bordi i ZRRE-së, ka miratuar disa propozime tjera për operatorët në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë që kanë të bëjnë me Rregullat për Alokim Eksplicit ditor të kapacitetit në kufijtë e zonave ofertuese të shërbyer nga Zyra e ankandeve të koordinuara të Evropës Juglindore (SEE CAO), si dhe propozim ndryshimet në kodin për qasje në toka dhe ndërtesa.

Në këtë mbledhje, Bordi i ZRRE-së miratoi 14 kërkesa për marrje të autorizimit të ndërtimit të paneleve solare për vet-konsum, nga të cilat 9 janë dorëzuar nga persona fizik dhe pjesa tjetër e mbetur nga ndërmarrje të ndryshme me gjithsej 503kW.


MË SHUME NGA Ekonomi