Rama: Masterplan për energjinë e ripërtëritshme në Ballkan
Foto: RTSH
Ekonomi

Rama: Masterplan për energjinë e ripërtëritshme në Ballkan

RTSH

Kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Malit të Zi, zv.ministri i Energjisë në Norvegji dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp pas diskutimeve të zhvilluara në panelin e organizuar mbi “Mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor” dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit për sigurinë energjitike.

Derisa e konsideroi një mbledhje të nevojshme dhe një ditë tejet të rëndësishme, kryeministri Edi Rama shpreson në vijimin e bashkëbisedimit ndërsa shprehet se qeveria norvegjeze do mbështesë përpjekjet e rajonit për konceptimin e një masterplani dhe një udhërrëfyesi investimesh.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot nga Beogradi rëndësinë e rajonalizimit të tregjeve për sa i përket energjisë për të pasur qasje më të lehtë në financime dhe partneritete shumë më të forta me sektorin privat.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas diskutimeve në panelin e konferencës së  organizuar në Beograd nën kujdesin e qeverisë së Norvegjisë, me temë “Mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor” dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit për sigurinë energjetike, kryeministri Rama e cilësoi atë një mundësi të shkëlqyer dhe një mbledhje vërtetë të nevojshme në këto kohë lufte.

Rama tha se “na duhet të rajonalizojmë tregjet tona dhe për sa i takon energjisë duhet të shkojmë përtej tregjeve tona, pasi në të kundërt ende mbetemi tregje të vogla. Kjo është ajo çfarë na duhet e kemi nevojë. Nëse trajtohet në mënyrë të izoluar mund të jetë shumë më tepër e kushtueshme. Duke vepruar në nivel rajonal sa i takon tregut të energjisë mund të kemi një qasje më të lehtë në financime dhe partneritete shumë më të forta me sektorin privat”, tha ai.

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar reforma të vështira për Serbinë. Vuçiç bëri me dije se do investohen 17-32 miliardë euro në vitet e ardhshme në mënyrë që qytetarët serbë të kenë energji elektrike të mjaftueshme.

“Siç e dini ne kemi punuar me norvegjezët dhe kemi marrë rekomandime se çfarë mund të bëjmë si Serbi për prioritetet dhe është një nivel i madh investimesh për energjinë. Është një nivel i madh investimesh që duhen bërë, mund të jenë investime nga 17-32 miliardë euro për vitet e ardhshme që të mbijetojmë dhe të kemi gaz dhe energji elektrike të mjaftueshme”, tha Vuçiç.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç vuri theksin te ndërtimi i impianteve të reja, kryesisht te impiantet diellore, dhe impiantet e energjisë së erës. Abazoviç u ndal gjithashtu te nevoja për ndërtimin e ibjekteve të rëndësishme energjitike, pasi sipas tij do zbuste tronditjet me të cilat është përballur Mali i Zi.

"Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura për përvojat që vijnë nga vendet skandinave. Folëm për energjinë e ripërtëritshme dhe energjinë e gjelbër që është me rëndësi për Malin e Zi. Kemi një lloj çekuilibri mes stinëve kur vjen fjala për importimin e energjisë elektrike. Ky koncept është i papranueshëm për ne. Ideja është të ndërtojmë impiante të reja. Ideja është të ndërtojmë impiante diellore, impiantet e energjisë së erës dhe një impiant për gazin e lëngshëm natyror.

Duam që të kemi objekte shumë më të rëndësishme energjetike që të zbusim tronditjet me të cilat jemi hasur. Besoj se të gjithë ne i jemi përkushtuar një objektivi të përbashkët, të punojmë së bashku. Pritshmëria e të gjithëve është reduktimi i varësisë energjetike dhe ndërtimi i objekteve energjetikë duke përfituar nga energjia e ripërtëritshme”, tha Abazoviç.

Nevojën për më shumë energji e ka shprehur dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Ky i fundit deklaroi se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit do të tejkalohet krizat dhe ndërtohen sistemeve më rezistente energjitike në rajon.

“Organizimi i kësaj konference është i rëndësishëm për gjithë rajonin, në këto kohë kur kjo është çështja më e rëndësishme që diskutohet në Europë dhe rajon, për nevojën për më shumë energji. Patëm mundësi të flisnim me investuesit norvegjezë dhe të prezantonim objektivat strategjike dhe të flisnim për mundësitë e ofrimit të energjisë së ripërtëritshme. Mundësi për të shfrytëzuar mundësinë për energjinë e gjelbër, si një mundësi për ta zhvilluar rajonin si një fuqi energjetike”, tha ai.

 


MË SHUME NGA Ekonomi