Haradinaj: Projektbuxheti i vitit 2023, buxhet i varfërimit
Ekonomi

Haradinaj: Projektbuxheti i vitit 2023, buxhet i varfërimit

Muharrem Miftari/RTKlive

Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është trajtuar projektligji për ndarje buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, ku është paraparë të jetë në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë eurosh,  përmes të cilit Qeveria e Kosovës pretendon se është buxhet i zhvillimit të vendit, ndërsa opozita konsideron të kundërtën.

“Buxhet që do të ngelet mangu një e katërta e investimeve kapitale, ndërsa vet projeksioni i të hyrave, është bërë pa asnjë logjikë financiare” konsideron Haradinaj, teksa shtoi se dështimi më i tmerrshëm ndonjëherë, i ndonjë qeverie në Kosovë, është pikërisht dështimi i Qeverisë Kurti në investimet kapitale. 

“E vetmja kategori shpenzuese që do të ketë rritje, është kategoria “mallra dhe shërbime”, në masë 22.3%. Qeveria që trumbetonte luftimin e luksit qeveritar, ka ngritur fondin e shpenzimeve qeveritare në 493 milionë euro, që është 194 milionë më i lartë se në vitin 2020. Kjo e bënë qeverinë Kurti zhvatësen më të madhe të buxhetit shtetëror, sa i përket shpenzimeve qeveritare”, potencoi Haradinaj. 

Ai më tej vuri në pah edhe çështjen e komunave, që, sipasHaradinajt, përmes buxhetit të vitit 2023, kjo qeveri është përkujdesur që të godasë edhe komunat, “sepse komunat nuk qeverisen nga ky pushtet, por nga partitë opozitare.”

Haradinaj përmendi edhe arsimin, si një nga segmentet të goditur nga Qeveria Kurti që nga niveli parashkollor deri në atë parauniversitar përmes zvogëlimit të fondit për paga, ngaqë kosiderohen si të padëgjueshëm nga pushteti.

“Ne vazhdimisht kemi insistuar në miratimin urgjent të Ligjit për Pagat, mes tjerash edhe për shkak të pabarazisë mes të punësuarve të nivelit lokal dhe qendror. Për një të punësuar në nivelin qendror, buxheti ndanë 870 euro bruto pagë mujore, ndërsa për të punësuarin në nivelin lokal në vlerë vetëm 540 euro bruto pagë mujore”, theksoi Haradinaj, duke konsideruar këtë projektbuxhet si një  buxhet të mjerimit dhe varfërimit.


MË SHUME NGA Ekonomi