Krijimi i tregut rajonal të energjisë vlerësohet i nevojshëm
Foto: Anamari Repiq /RTK
Ekonomi

Krijimi i tregut rajonal të energjisë vlerësohet i nevojshëm

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Kriza globale energjetike ka ngritur nevojën e krijimit të një tregu rajonal të energjisë që do të tërheqë investitorë dhe do të nisë tranzicionin e gjelbër. Ky është vlerësimi i liderëve të rajonit të mbledhur në një konferencë në Beograd, ku u diskutuan mundësitë për investime në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor, e ku mungoi Kosova.

Me qëllim që të niset kërkimi i burimeve alternative të energjisë në rajon për shkak të krizës nga sfidat gjeopolitike dhe ndryshimet klimatike, në Beograd u mblodhën liderët e pesëshes së Ballkanit Perëndimor, nën iniciativën e Norvegjisë.

Përfaqësuesit e vendeve të rajonit theksuan se rajoni këtë dimër do të përballet me sfidat energjetike, ndërsa bashkëpunimi është një mënyrë për të kapërcyer krizën. Ata theksuan probleme të shumta në sektorin e energjisë, duke pranuar që duhet bërë shumë në prodhimin e energjisë së gjelbër.

Liderët vunë në dukje se energjia e gjelbër kërkon reforma, investime dhe ndryshime në sjellje, si dhe mbështetën një qasje të përbashkët për investimet në sektorin e energjisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se po shpreson se do të krijohet një treg rajonal i energjisë, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë qasje më të lehtë në energji dhe investime në këtë sektor.

“Ishte një mundësi e shkëlqyer dhe një mbledhje vërtetë e nevojshme në këto kohë lufte, kur bombat e plagët godasin diku në Ukrainë, por kriza energjetike plus inflacioni i luftës kanë goditur kudo në Evropë, e përtej saj, përfshirë vendet tona. Nuk kam aspak dyshim, se në këto kohë kaq të vështira, ajo çka kemi thënë më parë kur nisëm Ballkanin e Hapur dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, bëhet gjithmonë e më e dukshme”, tha Rama duke shtuar se duhet të rajonalizohen tregjet.

“Tregjet lokale të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të vogla dhe nëse shtetet merren individualisht me çështjen e energjisë dhe me blerjen e burimeve të energjisë, ato mund të jenë vetëm më të shtrenjta”, tha ai.

Në Konferencën rajonale, të organizuar nga ambasadat norvegjeze në Beograd dhe Sarajevë, morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tegelltija.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se konkluzion i këtij takimi është formimi i një tregu rajonal. “Të përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse të gjithë nuk mund të kemi gjithçka, disa prej nesh kanë energji të tepërt në dimër, disa në verë, disa kemi kapacitetet e gazit më të mëdha, disa do të ndërtojnë tubacionet e tyre të gazit”, tha Vuçiq.

I dërguari special i kryeministrit norvegjez për energjinë, Andreas Eriksen, theksoi se energjia e gjelbër mund të nxisë një tranzicion të gjelbër në këtë rajon, i cili sipas tij ka nevojë për siguri energjetike dhe një zgjidhje për problemin e ndryshimeve klimatike. Në këtë rrugë, tha Eriksen, kompanitë nga Norvegjia të cilat punojnë në fushën e burimeve të ripërtëritshme mund të ofrojnë ekspertizën dhe përvojën e tyre.

“Ne duhet të veprojmë tani për të siguruar një të ardhme të mirë për popujt tanë”, tha Eriksen.

Përfaqësuesit e vendeve të rajonit u zotuan të ndihmojnë njëri-tjetrin për krizën energjetike, me shpresën se Norvegjia do t'i ndihmojë ne zhvillimin e planit për tregun rajonal dhe investimet në energjitë e ripërtëritshme.


MË SHUME NGA Ekonomi