Bregu: Bashkëpunimi rajonal ndihmon për ekonomi më të qëndrueshme
Foto: Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (RCC)
Ekonomi

Bregu: Bashkëpunimi rajonal ndihmon për ekonomi më të qëndrueshme

B. Halimi / RTKlive

Siguria e vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë njësoj nën kërcënim, nga radikalizimi, ekstremizmi i dhunshëm, migrimi i parregullt, krimi i organizuar, korrupsioni, keqinformimi dhe sulmet kibernetike. Kështu ka deklaruar sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në hapjen e Konferencës së 7-të Vjetore të Sigurisë “Jumbo”, që po zhvillohet në Romë.

“Këto prioritete të përbashkëta kanë marrë një tjetër rëndësi nga lufta në Ukrainë, duke e bërë edhe më të qartë rolin e rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të kufijve lindorë të Evropës”, tha Bregu.

Sipas saj, dy në tre qytetarë të Ballkanit Perëndimor besojnë se lufta në Ukrainë përbën një rrezik për ekonominë e tyre.

“Kur u pyetën për efektin më të madh të luftës, ata veçojnë rënien ekonomike (77.3%) dhe sigurinë e ushqimit dhe gazit (62.6%) si shqetësimin kryesor. Një përqindje dërrmuese e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, 85.6% besojnë se lufta në Ukrainë e bën më urgjente investimin në energjinë e rinovueshme. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, shumica e të anketuarve të Ballkanit Perëndimor, 78% janë të shqetësuar për rritjen e fluksit të lajmeve të ndryshme të rreme, keqinformuese dhe propagandistike. Në të njëjtën kohë, 82.9% e njerëzve në BP janë të të njëjtit mendim se bashkëpunimi rajonal mund t'i ndihmojë ekonomitë e tyre për qëndrueshmëri të mirë ekonomike për t'iu përgjigjur pasojave negative të luftës”, shtoi Bregu.

Kjo është arsyeja, tha Bregu, pse të gjitha këto shqetësime madhore nuk do të jenë vetëm pjesë e agjendës së Konferencës së Sigurisë “Jumbo” të këtij viti, por do të vazhdojnë të zënë një vend të veçantë në agjendën e RCC në të ardhmen e afërt.

Konferenca u organizua nga RCC në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme Italiane dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Kjo konferencë po fokuson gjithnjë e më shumë vëmendjen e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë në rajonin tonë dhe po ndihmon gjithashtu në krijimin e lidhjeve thelbësore për koordinimin e përpjekjeve të bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Objektivi kryesor i këtij edicioni të 7-të të ngjarjes është adresimi dhe përcaktimi i  tendencave kryesore të sigurisë që lindën (ose do të jenë në të ardhmen e afërt) nga pasiguritë aktuale rajonale dhe evropiane dhe që do të formësojnë të ardhmen e sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.


MË SHUME NGA Ekonomi