GIZ-i gjerman vazhdon mbështetjen ndaj Doganës së Kosovës
Foto: Dogana e Kosovës
Ekonomi

GIZ-i gjerman vazhdon mbështetjen ndaj Doganës së Kosovës

Fadil Sertolli / RTKlive

Në saje të synimeve për modernizim të sistemeve dhe praktikave, Dogana e Kosovës në bashkëpunim me zyrën e BE-së dhe GIZ-in ka iniciuar procesin për vlerësimin e mundësive të aplikimit të veglave të Inteligjencës Artificiale në Doganën e Kosovës.

“Inteligjenca artificiale, sipas Doganës,  është koncept relativisht i ri dhe nuk gjen ende aplikim të gjerë në dogana si dhe në institucionet publike në përgjithësi”, thuhet në një komunikate për media nga Dogana e Kosovës.

“Dogana e Kosovës vlerëson se aplikimi i këtij koncepti është mundësi e madhe për përmirësim të efikasitetit nga shumë fusha, duke mundësuar orientim në rezultate, shërbime më efikase dhe më të shpejta për publikun dhe bizneset, përmirësim të zbulimeve në fushën e kontrabandës, rrezikut për interesat financiare dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe shënjestrim më efikas i aktiviteteve të jashtëligjshme të krimit të organizuar ndërkufitar”, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se drejtori i përgjithshëm i Doganës Agron Llugaliu ka pranuar raportin përmbyllës të vlerësimit nga eksperti i angazhuar Francesco Molinari.

“Ishte dakordim i përbashkët se raporti i vlerësimit është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit në praktikë të Inteligjencës Artificiale. Me këtë rast Llugaliu falënderoj ekspertin Molinari, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe GIZ-in për financimin dhe kontributin e dhënë në implementimin e këtij projekti, duke konsideruar se përkrahja nga projektet e BE-së dhe GIZ janë mundësi e mirë për të avancuar sistemet drejt synimeve të përbashkëta”, përfundon komunikata nga Dogana e Kosovës.


MË SHUME NGA Ekonomi