Ministria e Shëndetësisë kushtëzon lëshimin e specializimeve/Video
Foto/ RTK
Shëndetësi

Ministria e Shëndetësisë kushtëzon lëshimin e specializimeve/Video

Alban Selimi / RTKlive

Ministria e Shëndetësisë tash e tutje specializime do t’iu lëshojë vetëm atyre që janë të gatshëm të punojnë në sektorin publik për aq kohë sa iu zgjatë specializimi, konfirmom Emisioni “Udhëve” në RTK.

Për aq kohë sa do të zgjatë procesi i specializimit mjekësor, mjekët që do të përfitojnë specializim nga Ministria e Shëndetësisë do të obligohen të punojnë në institucionet publike shëndetësore. Këtë e ka konfirmuar për emisionin “Udhëve” zëvendësministri i shëndetësisë Arsim Berisha.

Sipas zëvendësministrit ministrit Berisha, kjo do të bëhet me një udhëzim të veçantë e që paraqet një hap drejt parandalimit të ikjes së kuadrove specialistike nga Kosova.

“Jemi në finalizim të udhëzimit të ri për specializime dhe përmes këtij ne do të kemi shpallje të specializimeve çdo vit. Duke qenë që kërkesa kryesore janë cilësitë e shkollimit dhe nevoja e specializimeve kualitative me numër të caktuar, të llogaritur mirë, atëherë mendoj që hapja e konkursit të parë, gjatë këtij viti dhe që do të jetë obligim i MSH që do të shpallë konkurse çdo vit, do ta vë në kontroll në përgjithësi largimin e profesionistëve për arsye të kualifikimeve brenda sektorit të shëndetësisë.

Përmes këtij udhëzimi të rregullohet regrutimi apo konkursi i dhënies së specializimeve sipas nevojave të SHSKUK, spitaleve regjionale, qendrave të mjekësisë familjare dhe ato të shëndetit publik. Përmes këtij rregulli do t’i obligojmë mjekët për aq kohë sa kryejnë specializimin edhe të punojnë në sektorin publik”, ka thënë zëvendësministrit Berisha.

Mjekët po lënë punën në sektorin publik

Emisioni “Udhëve” në RTK, këtë javë ka trajtuar trendin e largimit të specialistëve të anestezionit nga sektori publik si dhe largimit të mjekëve të rinj nga Kosova.

Nehat Baftiu është njëri nga anesteziologët që për njëzet vite me radhë ka qenë drejtor i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në QKUK e ku ka punuar që nga paslufta. Por, pas 23 vitesh punë në QKUK, ai ka lënë punën aty, pak kohë para se të pensionohet. “Vendimi me lëshu punën ka qenë më i rëndë se vendimi me shku në luftë, sepse prej kur e regjistron Fakultetin e Mjekësisë gjithmonë mendjen e ke si të punësohesh në QKUK, sepse është institucioni më i lartë shëndetësor, ku profesionisti merr njohuri shtesë. Kam menduar një vit dhe pas një viti kam kaluar në një institucion privat”, ka thënë Baftiu.

Përgjatë këtyre viteve pas lufte, sipas tij, gjitha qeveritë nuk janë marrë asnjëherë seriozisht me shëndetësinë. “Edhe sot janë të njëjtat kërkesa, sigurimet shëndetësore, ligji i pagave, rregullimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, krijimi i kushteve për personelin shëndetësor. Askush s’është marrë me këto problem”, tha Baftiu për emisionin “Udhëve”.

Zana Kutllovci, specializante në Gjinekologji ka thënë se shtatë nga 75 specializantë që kanë qenë në Gjinekologji kanë migruar.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se derisa largimi i mjekëve jashtë Kosovës do të krijojë vakum të madh në sistemin shëndetësor në planin afatshkurtër, trendin e largimit të mjekëve nga spitalet publike në ato private ai e quan si çështje “akute” që kërkon intervenim emergjent. “Gjatë këtyre viteve fokusi ka qenë tek ikja e mjekëve. Ndoshta ka qenë më alarmante duke injoruar një trend që është shumë më akut se sa ky i pari, ikja e mjekëve nga sektori publik në privat. Ikja e mjekëve të rinj ka të bëjë me të ardhmen kur largimi i tyre do të vërehet pas pesë  viteve”, ka thënë Sejdiu.

Lulzim Emini, kryetar i shoqatës së anesteziologëve ka thënë se nëse Qeveria nuk trajton anesteziologët si resurs me ndikim strategjik, atëherë rrezikon të mbetet pa shërbim anesteziologjik në spitalet publike.

“Jam tu folë vetëm për 92 anesteziologë sa janë në nivel vendi”, tha Emini. Eksperti i menaxhimit shëndetësor Ilir Hoxha tha se spitalet janë duke rrezikuar të mbeten pa mjekë dhe shërbimet nuk janë duke u ofruar pasi mjekët po kalojnë në pension dhe nuk po ka kush t’i zëvendësoj. 

Oda e Mjekëve: Për dhjetë vite do mbesim pa mjekë

Paralajmërime aspak të mira ka Oda e Mjekëve. “Mosha mesatare është 51 e diçka, mosha mesatare e atyre që po largohen është 31. Do ta shihni pas 10 viteve se çka do të ndodhë”, ka thënë Dr. Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.

Shqetësuese për kryetarin e shoqatës së pacientëve, Besim Kodra mbetet fakti se largimi i mjekëve nga sektori publik po ndodhë për shkak të reformave që nuk kanë gjetur mbështetje.

“Ikja e mjekëve dhe pacientëve nga sektori publik janë pasoja të një reofrmeje që nuk po ndodhë”, tha Kodra.

Ministria e Shëndetësisë ka ftuar publikisht mjekët e diasporës që të shqytojnë mundësinë e kthimit në Kosovë. Por, në një lidhje në scype, kryetari i Lidhjes së Mjekëve shqiptarë në Zvicër, Gazmend Haliti thotë se praktikisht realizimi i një ftese të tillë është thuajse i pamundur.

Mungesa e anesteziologëve po vërehet sidomos në klinikat që ndërlidhen me lëmitë kirurgjike.

“Klinika jonë është shumë e varur prej anestezionit, dhe çdo lëmi kirurgjike është e lidhun me punën e anesteziologut”, ka thënë Zef Ndrejaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë.

E për Gazmend Halitin, kryetarin e lidhjes së mjekëve në Zvicër, nuk është shumë e rëndësishme që të kthehen fizikisht mjekët shqiptarë që kanë ikur në diasporë. Sipas tij, e rëndësishme është të kthehet kompetenca dhe dija.

Në shoqatën e pacientëve ndërkaq thonë se prioritet mbetet investimi në sektorin shëndetësor, në mënyrë që pacientëve t’u kthehet dinjiteti. 

“Aktualisht njerëzit tanë po ikin në rajon jo për profesionalizëm shëndetësor por po ikin për dinjitet sepse dinjiteti po nëpërkëmbet duke u takuar me abuzues të sektorit shëndetësor që ndodhen në sistem atëherë njerëzit po braktisin sistemin shëndetësor”, tha Kodra, transmeton emisioni “Udhëve”.


MË SHUME NGA Shëndetësi