Ajdini: Paga Minimale, peng i sindikatave
Ekonomi

Ajdini: Paga Minimale, peng i sindikatave

Arbenita Marmullaku/Radio Kosova

Paga Minimale ka mbetur peng i sindikatave që nga viti 2011, ndërsa Këshilli Ekonomiko-Social dhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ia hedhin fajin njëra-tjetrës për këtë.

Nga Këshilli Ekonomiko-Social thonë se sindikatat kanë kërkuar paga të larta të pabazuara në udhëzime dhe kritere të ligjit. Ndërsa në sindikatë thonë se ky këshill është vetëm formal dhe nuk ka bërë asgjë.

Që nga viti 2011 Paga Minimale ka mbetur peng e sindikatave, ka vlerësuar anëtarja e Këshillit Ekonomiko-Social në Kosovë, Lumnije Ajdini. Ajo tha për Radio Kosovën se në takimin e fundit që kishin në mars me qeverinë dhe me gjithë aktorët, është votuar paga prej 260 eurosh, porse kishte hasur në pengesë nga sindikatat, të cilat e kishin kundërshtuar këtë shumë.

“Që nga viti 2011 sindikatat kanë kërkuar paga të larta e të cilat nuk janë të bazuara në udhëzime dhe kritere që përcaktohen nga ligji për rritjen e pagës minimale në vend”, ka thënë Ajdini.

Ajo tha se qeveria ka bërë gabim të rëndë duke mos e rritur pagën minimale, sepse ajo bazohet në ligj.

“Asnjëherë nuk është përfillur Këshilli Ekonomiko-Social që rekomandon këtë rritje”, tha Ajdini.

Ndërkaq sindikatat kanë kërkuar pagë minimale 400 euro. Kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se Këshilli Ekonomiko-Social ekziston vetëm formalisht, sepse sipas tij, ky këshill nuk merret parasysh nga qeveria.

“Edhe kur ka ekzistuar ky këshill, nuk ka pasur sinjale se është duke bërë diçka. Qeveria e Kosovës në mënyrë të njëanshme e ka propozuar pagën minimale 260 euro pa pëlqim të KES-it”, tha ai.

Sido që të jetë, Paga Minimale nuk ka lëvizur tash e 12 vjet dhe siç thotë Azemi, nuk e ka as sinjalin më të vogël që do të miratohet Paga Minimale.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin që e caktonte pagën minimale në vlerë prej 250 eurosh neto apo 264 euro bruto, ku me këtë vendim do të përfitonin 100 mijë punëtorë, mirëpo ky projektligj nuk ka kaluar në lexim të dytë.

 


MË SHUME NGA Ekonomi