Llugaliu:Në luftimin e tregtisë së jashtëligjshme,angazhim gjithëpërfshirës
Ekonomi

Llugaliu:Në luftimin e tregtisë së jashtëligjshme,angazhim gjithëpërfshirës

Muharrem MIftari/RTKLive

Drejtori i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, gjatë javës së kaluar, ka mbajtur fjalim në panelin e “Samitit Global për Tregtinë e Jashtëligjshme” me ftesë të “The Economist”. Paneli, në të cilin ka marrë pjesë Llugaliu, ka përmbledhur punimet e samitit kundër tregtisë së jashtëligjshme, me temën: ‘’2030 e tutje, vepro tani, mendo për të ardhmen’’.

Përmes një komunikate për medie, Dogana e Kosovës njofton se në këtë panel kanë qenë pjesmarrës edhe Leszek Wiecziech (Shefi i programit të Rrjetit Kompakt Global të OKB-së në Poloni kundër korrupsionit), Sarah Branquinho (Presidente, Këshilli Botëror i Duty Free) dhe zt. Adam Czerniak (drejtor për hulumtim, Polityka Insight).

Në pjesën e tij  Llugaliu ka theksuar se çështja e tregtisë së paligjshme është komplekse ngase shkaktohet dhe ndikohet nga faktor shumëdimensional, andaj edhe qasja e politikëbërjes në lidhje me ekonominë e paligjshme duhet të bazohet mbi këndvështrime shumëdimensionale.

Derisa njoftoi për të arriturat e Doganës së Kosovës në luftimin e tregtisë së paligjshme, Llugaliu ka theksuar se ky fenomen  duhet të ketë adresim adekuat nga një qasje mbarëshoqërore, edhe pse dihet se përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet përkatëse.

“Hulumtimi i Organizatës Evropiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim me shtrirje ne kontinentin e Evropës, Azisë dhe Afrikës, ka gjetur se një pjesë e madhe e njerëzve janë të njohur me faktin se produktet që blejnë janë  të furnizuara nga kanale të tregtisë së jashtëligjshme, andaj është e domosdoshme që të ketë përfshirje të të gjitha strukturave të shoqërisë në luftimin e tregtisë sē jashtëligjshme”, nënvizoi ai.

Më tej ai paralajmëroi se pritet një përkeqësimi në shkallë evropiane e më gjerë nga lufta në Ukrainë dhe paqëndrueshmëritë e theksuara politike kudo, pasi që grupet e krimit të organizuar eksploatojnë lirshëm mbi resurset e shteteve dhe shoqërisë së cenueshme nga kaosi i paqëndrueshmërive politike.

“Për këtë qëllim duhet të ndërmirren projekte vetëdijësuese, politika ndëshkimore serioze nga Gjykatat, reforma në proceset dhe mënyrën se si e bëjnë punën institucionet përgjegjëse”, ka potencuar Llugaliu.


MË SHUME NGA Ekonomi