OEK partnere në zhvillimin dhe zbatimin e mësimit dual në Kosovë
Foto: OEK
Ekonomi

OEK partnere në zhvillimin dhe zbatimin e mësimit dual në Kosovë

Fadil Sertolli / RTKlive

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Zejtare e Kroacisë nënshkruajnë Marrëveshjen e bashkëpunimit, ku theks i veçantë do t`i jepet shkëmbimit të përvojave rreth zhvillimit dhe zbatimit të Mësimit dual në Kosovë.

Përmes një komunikate nga Oda Ekonomike e Kosovës, bëhet e ditur se Kroacia si vend mik i Kosovës tanimë implementon mësimin dual sipas modelit kroat dhe këtë përvojë do e zbatojnë edhe në Kosovë së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës.

“Oda Zejtare e Kroacisë shpreh gatishmërinë e vet, që gjithë përvojën e vet në zbatimin e mësimit dual ta shkëmbejë me kolegët e Odës Ekonomike të Kosovës. Mësimi dual është mjaft sfidues, mirëpo me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e ekonomisë së një vendi”, tha kryetari Dalibor Kratovil.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se arsimi dhe aftësimi profesional ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe për këtë arsye Oda Ekonomike e Kosovës do t`i kushtojë vëmendje të veçantë aktiviteteve në zhvillimin dhe zbatimin e Mësimit dual në Kosovë.

Gjithashtu, bazuar në Udhëzimin Administrativ për Mësimin në vendin e punës, Oda Ekonomike e Kosovës do të merret edhe me menaxhimin e të dhënave dhe përfshirjen e bizneseve në mësimin në vendin e punës në Kosovë.

Ndryshe, Oda Zejtare e Kroacisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës do të vazhdojnë me takimet bilaterale për të përcaktuar hapat e veprimit të mëtutjeshëm drejt realizimit të mësimit dual në Kosovë.


MË SHUME NGA Ekonomi