Kosova e Shqipëria flasin për krijimin dhe bashkimin e tregut të energjisë
Foto: Zyra e Rregullatorit për Energji
Ekonomi

Kosova e Shqipëria flasin për krijimin dhe bashkimin e tregut të energjisë

Fadil Sertolli / RTKlive

Në kuadër të miratimit të Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike të cilat do t’i shërbejnë operimit të Bursës se energjisë elektrike në Shqipëri dhe Kosovë, Enti Rregullator i Energjisë mirëpriti përfaqësues të Rregullatorit të Kosovës (ZRRE) të cilët zhvilluan një seancë publike të përbashkët me palët e interesit të të dy vendeve, ndër të cilët mund të përmendim AAES, AK, FTL, KOSTT, KURUM, KESH, KESCO.

Me këtë rast,  Kryetarët e Enteve përkatës, theksuan rëndësinë e këtyre rregullave në vijim të bashkëpunimit dypalësh duke qenë një hap i rëndësishëm për krijimin dhe bashkimin e tregut të energjisë elektrike.

“Ky proces daton nga qershori i viti 2018 ku operatorët e sistemeve të transmetimit OST, KOSTT dhe ERE dhe ZRRE nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit  për bashkimin e tregut të një dite në avancë dhe asaj të së njëjtës ditë, bashkëpunim ky që do të vazhdojë dhe pas miratimit e rregullave dhe nisjes së operimit të ALPEX”, thuhet në një komunikatë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Tutje thuhet në komunikatë se gjatë këtij takimi, Administratori i ALPEX, bëri një përshkrim të përgjithshëm të rregullave të tregut të energjisë elektrike (rregullat e ALPEX përkufizimet, procedura e tregtimit si dhe procedura e klerimit dhe shlyerjes, të propozuara nga ALPEX dhe OST sh.a.).

“Këto rregulla do të mundësojnë më tej operimin e Bursës”, thuhet mes tjerash.

Më pas u dëgjuan komentet e palëve të interesit të ftuar në këtë takim, i cili do të pasohet dhe nga dëgjesa dhe takime të tjera teknike deri në miratimin e rregullave të sipërpërmendura nga rregullatorët përkatës sërish në një mbledhje të përbashkët mes rregullatorëve.


MË SHUME NGA Ekonomi