Rafuna:E palogjikshme që odat tjera që janë OJQ, të njihen si publike
Foto/ RTKlive
Ekonomi

Rafuna:E palogjikshme që odat tjera që janë OJQ, të njihen si publike

Majlinda Doda/ Radio Kosova

Krijimi i një Ode apo dhome të përbashkët të Tregtisë në Kosovë, nuk do të kishte asnjë efekt pozitiv për odat ekonomike që operojnë në Kosovë.

Përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës vlerësojnë se kjo është e panevojshme dhe vetëm se do ta destabilizonte situatën ndërmjet odave aktuale, duke hapur mundësi edhe për hapje të odave etnike.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka kërkuar themelimin e një  ligji mbi odat apo dhomat e tregtisë, në mënyrë që të gjitha të funksionojnë në kuadër të këtij ligji, e jo siç janë duke funksionuar aktualisht si organizata joqeveritare.

Por, kjo kundërshtohet nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari Lulëzim Rafuna thotë për Radio Kosovën se është e palogjikshme që edhe odat  e tjera që janë si organizata jo qeveritare, të njihen si publike.

 “Kosova është me fat që e ka një odë të vetme publike, dhe është e palogjikshme që të njihen si oda publike edhe OJQ-të që janë themeluar në Kosovë, ose edhe organizatat private të biznesit të  konsiderohen si oda, d.m.th asnjë fitim nuk i sjell vendit kjo. Bile e çrregullon komplet”, tha ai.

Rafuna thotë se modeli i Maqedonisë së Veriut, që pretendon të sjellë në Kosovë ministrja Rozeta Hajdari, është shembulli më i keq, pasi i njeh edhe odat etnike.

“Kjo i hap apetitet për t’u krijuar edhe odat ekonomike etnike të nacionalitetet e tjera. Unë nuk e mbështes si odë, unë e mbështesë ta kemi një odë publike të shtetit, një odë që përfaqëson interesat e biznesit, një odë e cila është partner i institucioneve për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Një ligj të këtillë që sillet për këto qëllime, unë e përkrahi shumë, por jo një odë që hap apetite, sidomos në situatën politike që gjendet Kosova”, tha ai.  

Themelimi i odave të tregtisë, nuk do të ndikonte shumë në funksionimin e odave ekonomike, vlerëson kryetari i Odës Amerikane të Kosovës, Arian Zeka.

 “Krijimi i një legjislacioni më gjithëpërfshirës që do të rregullonte funksionimin e odave ekonomike, besoj, që do të ishte me vlerë, jo që do të ndryshonte në aspektin e trajtimit të këtyre organizatave, sepse këto organizata do të duhej të funksiononin si organizata jo profitabile, të ishin në shërbim të anëtarëve të tyre,  për çka besoj që ligji aktual mbi lirinë e asociimit në organizatat jo qeveritare ofron një kornizë të plotë,  dhe në çfarëdo rrethana, nuk besoj shumë që do të ndikonte në funksionimin e odave ekonomike”, tha ai.

Ndryshe, Kosova deri tani ka funksionuar me sistemin Anglo-Amerikan që mundëson krijimin e shumë dhomave/odave.  Përmes këtij ndryshimi do të mundësohet rregullimi i mënyrës së funksionimit të të gjitha odave/dhomave që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Kosovës, përcaktohen kushtet dhe kriteret për të hapur një odë, e gjithashtu mundëson që odat/dhomat të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me njëra- tjetrën”, thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.

 

 

 


MË SHUME NGA Ekonomi