Hajdari: Kosova ka potencial për prodhim në disa sektorë
Ekonomi

Hajdari: Kosova ka potencial për prodhim në disa sektorë

K.Kasumi/ RTKlive

Agjencia e Punësimit, në bashkëpunim me GIZ Kosova, Universitetin e Prishtinës dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, sot organizuan ceremoninë e hapjes së edicionit të shtatë të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë.

Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Tregtisë e Ndërrmarrësisë, tha se Kosova ka potencial rininë, por i mungon aftësimi profesional.

“Kosova ka potencial kryesor rininë dhe me këtë potencial ne mund të arrijmë shumë për zhvillim dhe transformim të industrisë sonë dhe për stabilitet të Republikës sonë, por mungon diçka. Mungon më shumë aftësimi, arsimi profesional. Industritë tona kanë më shumë nevojë për përafrim të kualifikimeve për nevojën e industrisë. Jemi duke analizuar shumë sektorë të industrisë”, tha  Hajdari.

“Ne shohim se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për aftësinë e prodhimit në sektorin e drurit, plastikës, në sektorin e tekstilit, në sektorin minerar, metalik jometalik dhe në ICT, që është më e rëndësishme për digjitalizim të bizneseve tona”, shtoi ajo.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, tha se, ndryshe nga edicionet e tjera të panairit, ky organizim është përditësuar dhe i kushtohet rëndësi edhe ndërmarrësisë.

“Ky organizim është përditësuar. Për dallim nga vitet e tjera, këtu i kushtohet rëndësi ndërmarrësisë. Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar që të krijojë një lidhje të fuqishme me tregun, me nevojat e tij dhe perspektivat e tij. UP ka, gjithashtu, nevojë të përhershëm për përditësim  dhe të ndjekë trendin botëror në zhvillimin e kurrikulave studimore, dhe duke e parë këtë nevojë kam paraparë krijimin ose ndjekjen e qasjeve për profesione. Ne po punojmë për krijimin e programeve studimore të cilat kërkohen në tregun e punës”, tha Qerimi.


MË SHUME NGA Ekonomi