18 raste të reja me HIV-AIDS këtë vit në Kosovë
BKT
Foto: Besjana Mujal
Shëndetësi

18 raste të reja me HIV-AIDS këtë vit në Kosovë

Besjana Mulaj / RTK

Në shënim të Ditës Botërore të luftës kundër HIV – AIDS, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, është hapur qendra mobile e testimit falas, e cila do të jetë aktive për një javë. Aty qytetarët mund të testohen nëse janë të prekur nga virusi HIV – AIDS.

Sipas të dhënave nga Klinika Infektive, gjatë këtij viti ka më shumë raste të reja të të prekurve me HIV-AIDS.

18 raste të reja me HIV pozitiv  janë shënuar këtë vit, shumica prej të cilave janë të moshës 20 deri në 25 vjeç.  Ndërsa 54 raste janë raste aktive, që trajtohen herë pas herë nga Klinika Infektive. 

Infektologu Murat Mehmetaj,  ka thënë se këtë vit, ka numër më të madh të rasteve të reja në krahasim me vitin e kaluar. Ai tha se këta i takojnë kryesisht moshës së re, që është aktive për marrëdhënie seksuale si dhe i takojnë grupit të homoseksualëve sepse tendencat te ato raste janë më të  mëdha në bartjen e sëmundjes.

Në shënim të Ditës Botërore  ndaj virusit HIV – AIDS,  institucionet dhe organizatat nuk kanë shënuar asnjë aktivitet vetëdijesues në shkolla, ndërsa Komuna e Prishtinës ka hapur qendrën mobile të testimit falas në sheshin “Zahir Pajaziti”.

 “Ne jemi të vetëdijshëm se kushtet për një testim konfidencial janë të vogla, por kjo më shumë është një përkrahje me qëllim për të promovuar aktivitetin  e testimit, sepse është njëra prej hallkave kyçe të parandalimit”, ka thënë Izet sadiku, drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se  është shumë e rëndësishme që të infektuarit të mos stigmatizohen.

 “Mesazhi i parë është për të edukuar vetën për mënyrën e bartjes së HIV- AIDS, pastaj është shumë rëndësishme që të mos i diskriminojmë ata që janë  të prekur nga virusi”, ka thënë Oleksander Martynenko, shef i Zyrës së OBSH –së në Kosovë. “Qytetarët duhet t’i dinë mundësitë e trajtimit që në Kosovës janë pa pagesë dhe për vitin e ardhshëm do të organizojmë ligjërata vetëdijesuese në  disa universitete”.

Që nga viti 1986 kur është regjistruar rasti i parë i të prekurit me HIV-AIDS, në vendin tonë janë shënuar 157 raste pozitive, derisa 51 prej tyre kanë vdekur.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi