Ministri Murati merr pjesë në Konferencën Ministrore në Vjenë
Foto/ MFPT
Ekonomi

Ministri Murati merr pjesë në Konferencën Ministrore në Vjenë

Afet Bela/ RTKlive

Në Konferencën Ministrore që u organizua nga Banka Botërore në pallatin Hofburg në Vjenë, Ministri Murati ishte i ftuar si folës në panelin “Rëndësia e Raportimit të Informacionit Financiar dhe Jo-financiar në Kohë Krizash”.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Murati u shpreh se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një varg masash për t'u bërë ballë pasojave ekonomike të tri krizave të njëpasnjëshme, fillimisht nga pandemia COVID-19, e pastaj kriza e energjisë dhe kriza inflacionare e përkeqësuar nga lufta në Ukrainë. Me këtë rast, menaxhimi i mirë i financave publike në njërën anë, e prioritizimi i mbështetjes ndaj grupeve më në nevojë, subvencionimi i tarifave të energjisë elektrike dhe mbështetja ndaj bizneseve prodhuese në anën tjetër, u theksuan si elemente kyçe që kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës t'i përballojë krizat globale, e të vazhdojë të këtë rritje pozitive ekonomike edhe gjatë këtij viti.

Tutje, Ministri Murati u fokusua edhe tek roli i institucioneve ndërkombëtare financiare si mbështetëse të rëndësishme për tejkalimin e sfidave në kohë krizash. Ai u shpreh se qeveritë duhet të jenë proaktive dhe të përkushtuara që nevojat që identifikohen gjatë procesit politikëbërjes të adresohen me institucionet ndërkombëtare financiare, ashtu që financimi i tyre të jetë sa më i përballueshëm, e në të njëjtën kohë institucionet ndërkombëtare financiare duhet të kenë vëmendje të shtuar ndaj vendeve në zhvillim, sidomos tani kur kemi një ambient të rritjes së normave të interesit.

Konferenca Ministrore në Vjenë, ka mbledhur ministra, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, akademikë, si dhe përfaqësues nga fusha e biznesit e ndërmarrësisë për të diskutuar lidhur me raportimin financiar dhe bashkëpunimin rajonal.


MË SHUME NGA Ekonomi