BQK: Sektori bankar është i sigurt
Foto: RTK
Ekonomi

BQK: Sektori bankar është i sigurt

V.Thaçi / RTKlive

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media i siguron të gjithë qytetarët se sektori bankar është i sigurt dhe nuk ka nevojë për panik.

Po ashtu thuhet se bazuar në kompetencat e saj, BQK kryen ekzaminime të plota dhe të fokusuara  që përfshijnë edhe fushën e teknologjisë informative, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike.

“Pjesë e ekzaminimeve kanë qenë edhe gjetjet që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë informative, ku janë dhënë rekomandime të ndryshme, të cilat zbusin dhe zvogëlojnë mundësinë e kryerjes së keqpërdorimeve, duke rekomanduar vendosjen e kontrolleve adekuate të brendshme, në funksion të parandalimit edhe ndaj sulmeve kibernetike. Gama e gjerë e produkteve që ofrojnë bankat, bart me vete edhe rrezikun e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike, mirëpo që në çdo rast kur ka dëmtim të klientëve të çfarëdo natyre, bankat bartin koston e zhdëmtimit të klientëve. Për më shumë, ka pasur raste kur BQK-ja ka kërkuar dhe bankat kanë zhdëmtuar klientët ndaj çfarëdo rreziku”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, BQK është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të adresuar çdo nevojë në zgjidhjen e problemeve në këtë sektor.

BQK poashtu është angazhuar shumë në zgjidhjen e të gjitha ankesave të konsumatorëve dhe e ka ndër prioritetet kryesore të saj, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Falë fushatave të ndërmarra është rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të raportuar për rastet.

“Nga viti 2018 deri më tani, numri i ankesave të qytetarëve për keqpërdorim të kartelave bankare është 139 (2018-12; 2019-36; 2020-29; 2121-18; 2022-44). Viteve të fundit transaksionet elektronike që ndryshe njihen si blerjet nga interneti, kanë shënuar rritje të madhe dhe interesimi i klientëve të bankave për të operuar në këtë fushë është i madh. Deri në tetor të këtij viti, janë lëshuar, mbi 1 milionë kartela për blerje elektronike dhe janë bërë 38 mijë e 112 transaksione në vlerë prej 2 milionë e 431 mijë e 910 euro”, thuhet tutje.


MË SHUME NGA Ekonomi