BEI premton mbështetje për krizën e energjisë
BKT
Ekonomi

BEI premton mbështetje për krizën e energjisë

M.Miftari/ RTKlive

Në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor të organizuar në Tiranë, zëvendëspresidentja e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Lilyana Pavlova, premtoi ndihmë për nevojat urgjente afatshkurtra të rajonit që rrjedhin nga lufta e Rusisë në Ukrainë nga BEI Globale, krahu i dedikuar i bankës i fokusuar në veprimet jashtë BE-së.

Përmes një deklarate për media Banka Evropiane e Investimeve (BEI) nofton se  kjo mbështetje do të materializohet përmes projekteve të reja që BEI Globale planifikon të financojë në rajon për vendosjen e energjisë së pastër, zgjerimin e rrjeteve të energjisë elektrike dhe infrastrukturën ruajtëse, si dhe mbështetjen për sektorin privat për zbatimin e masave të efikasitetit energjetik. Ajo konfirmoi se banka është plotësisht në linjë me paketën e mbështetjes energjetike prej 1 miliardë eurosh që është shpallur nga Komisioni Evropian dhe synon të luajë një rol kyç në zbatimin e saj.

“Kemi kënaqësinë të shohim se paketa përmban asistencë për të mbështetur përmirësimin e kuadrit politik, legjislativ dhe institucional për sektorin e energjisë. Përmirësimet në këto zona do të kenë një ndikim pozitiv në shpejtësinë me të cilën BEI Globale dhe partnerët tanë vendorë mund të prezantojnë investimet në infrastrukturë ose të sigurojnë financim për sektorin privat”, deklaroi zëvendëspresidentja Pavlova.

Tutje bëhet e ditur se përveç mbështetjes në fushën e energjisë, banka e BE-së do të intensifikojë ndërthurjen e saj gjithëpërfshirëse të masave të huadhënies, kombinimit dhe shërbimeve këshillimore dhe do të vendosë më shumë ekspertë në terren për të mbështetur sektorët e lidhjes, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

“Promovimi i zhvillimit, digjitalizimi dhe dekarbonizimi i sektorit privat do të jetë gjithashtu në fokusin e bankës. Në këtë drejtim, Fondi Evropian i Investimeve (FEI), filial i grupit të BEI-t, ka paraqitur Garancinë për Rimëkëmbjen e NVM-ve me Fondin për inovacionin dhe Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor (FIZHN BP), e cila synon t’u përgjigjet vështirësive ekonomike duke rritur aksesin në financa për rreth 4000 NVM të rajonit”, thuhet, mes tjerash, në njoftim.

Zëvendëspresidentja tërhoqi gjithashtu vëmendjen për grantet e BE-së të miratuara së fundmi nga kuadri i investimeve për Ballkanin Perëndimor.

“Këto grante po na ndihmojnë gjithashtu për të ecur përpara me projekte të rëndësishme të ndërlidhjes në hekurudhat e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe investimet në sektorin e arsimit në Mal të Zi. Këtu në Shqipëri, ne po kryejmë punë përgatitore që do të kontribuojnë në shndërrimin e Tiranës në një qytet të gjelbër dhe të qëndrueshëm dhe mezi presim të punojmë me qeverinë, Komisionin Evropian dhe kolegët tanë në EBRD për investime të rëndësishme hekurudhore”, përfundoi fjalën e saj zëvendëspresidentja Pavlova.


MË SHUME NGA Ekonomi