Projektligji për Trustin nuk mori mbështetjen e komisionit
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Ekonomi

Projektligji për Trustin nuk mori mbështetjen e komisionit

A.Bela / RTKlive

(E plotësuar, ora 14:30) Pas një debati disa orësh Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka votuar për propozimin e tërheqjes së 30 përqind të Trustit.

Me 4 vota për, 3 kundër dhe 2 abstenime, projektligji nuk mori mbështetjen e komisionit. 

Mehmeti: Kursimet pensionale të mbrohen, është rekomandim i FMN-së e BB-së

(E plotësuar, ora, 12:50) Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës, Fehmi Mehmeti, sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere ka folur për ligjin aktual të kursimeve pensinale të Kosovës dhe kërkesës për të ndryshuar këtë ligj dhe që një pjesë e mjeteve të tërhiqen nga qytetarët e Kosovës.

Mehmeti iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. “Mjetet e kursimeve pensionale duhet të mbrohen dhe të mbeten vetëm për qëllimet e tyre, i cili qëllim ka të bëjë me ata që dalin në pension, pra pas moshës 65 vjeçare dhe të mos mbeten barrë për shtetin pas asaj moshës, është rekomandim i cili vjen prej Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) që kursimet të mbrohen”, tha guvernatori Mehmeti.

Sipas Mehmetit, me ligj është e rregulluar që BQK-ja të duhet të ruajë stabilitetin financiar në vend. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm, ne mbikëqyrim edhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe një fond tjetër, investimet e kursimeve janë në aksione”, theksoi ai.

Në raportimin para komisionit, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka folur edhe për inflacionin që BQK-ja ka për këtë vit. “Inflacioni ndikon në aftësinë paguese tek secili individ, inflacioni në Kosovë është i importuar”, tha ai.

Mehmeti  foli edhe për vlerën e kredive në Kosovë e që kanë arritur në 4.2 miliardë euro. “4.2 miliardë është vlera e kredive, me një rritje prej 14 për qind. Kreditë konsumuese janë rritur 17 për qind. 1. 5 miliardë euro janë lëshuar kredi të reja. 14.9 për qind është norma e interesit te mikro-financat”, tha guvernatori Mehmeti.

Për mospajtimet që Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, ka pasur me FMN-në, Mehmeti tha se ka pasur raste. Ai ka folur edhe per stagflacionin, i cili është gjendja e një vendi ose zona e bashkimit monetar në të cilën ekonomia është njëkohësisht në një gjendje stagnimi dhe inflacioni.

 

Edhe Ruzhdi Morina nga Trusti tha se kursimet pensionale duhet të mbrohen.  

Drejtori i TRUST-it, Adrian Zalli, ka dhënë shifra të mjeteve se sa mund të tërhiqen, nëse ndryshohet ligji i Trust-it sipas verzionit të prezantuar e që sipas tij mund të shkojë deri në 600 milionë euro.

Zalli: 87 % e atyre që dalin në pension i marrin vet mjetet e Trust-it

Zalli ka bërë me dije se prej të gjitha tërheqjeve që bëhen nga mjetet e trustit, 87.7% e atyre që dalin në pension i marrin vet mjetet.

“87 % bëhen për ata që arrijnë moshën e pensionimit, ndërsa 13 % të tjerë vijnë familjarët i marrin mjetet, pra në rast të vdekjeve”, tha ai.

Komisioni për Buxhet shqyrton ndryshimin e Projektligjit të Trust-it

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot do të mbajë mbledhje. Në këtë mbledhje do të bëhet shqyrtimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit  për Fondet pensionale të Kosovës.

Në këtë mbledhje po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit Vjetor Financiar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2022 dhe  votimi i Raportit Vjetor Financiar i Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2021.

Ndryshimi i Ligjit  për Fondet pensionale të Kosovës, ka kohë që është duke u debatuar në qarqe të ndryshme.

Për ndryshimin e projektligjit të Trusti-it, ka pasur protesta dhe janë mbledhur mijëra nënshkrime të cilat janë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, raporton RTKlive.

Zë kritik ndaj këtij ndryshimit të projektligjit është FMN e cila ka vlerësuar se mjetet e kursimeve pensionale, nuk duhet të preken. Vite më parë në Kosovës, është bërë ndryshimi i ligjit, nga i cili qytetarët kanë tërhequr 10 % të mjeteve të tyre.

Po ashtu Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, do të bëj shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Opec për Zhvillim Ndërkombëtar dhe shqyrtimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.


MË SHUME NGA Ekonomi