Mazreku: Kosova së shpejti me `Karton të Gjelbër`/Video
BKT
Foto: RTKlive
Ekonomi

Mazreku: Kosova së shpejti me `Karton të Gjelbër`/Video

Faton Salihu/RTK

Kosova e ka gjetur një shtet mik që garanton për shitjen e kartonit të gjelbër. Byroja Kosovare e Sigurimeve tani po pret konfirmim nga Këshilli i Byrove në Bruksel në mënyrë që të fillohet me shitjen e kartonit të gjelbër. Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, ka thënë se tani nuk mund të tregojnë për cilin shtet bëhet fjalë, pasi fillimisht duhet aprovimi i Këshillit të Byrove.

Shumë shpejtë Kosova do të mund të shes kartonin e gjelbër, pasi një shtet mik do të garantojë për një gjë të tillë. Këtë e bëri të ditur drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku. i cili shtoi se kjo duhet të aprovohet nga Këshilli i Byrove në Bruksel.

“Kam konfirmu edhe guvernatorit të BQK-së që si BKS  e kemi gjet një shtet mik për shitjen e kartonit të gjelbër, pra nga sot e tutje ne presim një konfirmim nga COB-ja që të na autorizoj neve, që të autorizojmë anëtarët tonë që të fillojmë me shitjen e kartonit të gjelbër. Kjo nuk do të thotë që ne e kemi zgjidh problemin 100 për qind për shkak se shitja nuk nënkupton që edhe bashkatdhetarët tanë kur vinë në Kosovë e kanë të lejuar me hi në Kosovë, mirëpo kjo është pjesë e kësaj diskutimi që ne e kemi dërguar edhe të këshilli i byrove, besoj që për atë pjesë do të bëjmë shumë shpejtë zgjidhje”, ka deklaruar Mazreku.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka konfirmuar një gjë të tillë, por siç tha, emrin e shtetit që do të garantoj për shitjen e kartonit të gjelbër, nuk mund ta tregojnë tani.

“Është e vërtetë që gjatë disa bisedimeve që kemi pasur, kemi gjetur shtetin i cilin garanton për BKS-në e për të cilën janë dërguar aprovimet paraprake në Këshillin e Byrove të Evropës. Për momentin nuk mund të tregojnë për cilin shtet bëhet fjalë pasi duhet fillimisht aprovimi paraprak nga Këshilli i Byrove në Bruksel”, ka deklaruar Mehmeti

Sekretarja gjenerale e këtij këshilli, Greet Flore, gjatë një vizite që i bërit vendit në muajin tetor, pati thënë se në aspektin teknik, Byroja Kosovare e Sigurimit ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Byronë e Kartonit të Gjelbër, por që problem mbetet aspekti politik.


MË SHUME NGA Ekonomi