Kurti: Po e forcojmë ligjin dhe po rriten investime e huaja direkte|Video
Arlinda Sejda/ RTK
Popullsia e re, kostoja e ulët e punës, sistemi fiskal dhe taksave, kanë ndikuar në rriten e investimeve të huaja direkte. Kështu u tha në Konferencën Vjetore për promovimin dhe tërheqjen e investimeve, si dhe adresimin e sfidave me qëllim të përmirësimit të klimës së investimeve në Kosovë, organizuar nga Ministria e Industrisë dhe Këshilli Evropian i Investitorëve.
Kryeministri Albin Kurti synon që Kosova të bëhet lider në investimet e huaja direkte. Ndërsa, për t’i rritur eksportet ai tha se duhet të zhvillohet një plan që jep rezultate, por duke forcuar edhe sundimin e ligjit.
“Ne shohim progres në rritjen e investimeve të huaja direkte dhe të eksporteve. Investimet e huaja direkte janë rritur këtë vit për 47 për qind, ndërkaq vitin e kaluar u rritën për 22 për qind krahasuar me vitin paraprak. Eksporti në vitin 2022 janë rritur për 83 për qind”, tha kryeministri Kurti.
Kurse Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se Qeveria është e vendosur të ndalë tregtinë joformale dhe të paligjshme.
“Kemi dhënë përkrahje për ndërmarrjet tona dhe përkrahjen e investitorëve të zotuar për investime në Kosovë, me qëllim të përparësive konkurruese që ka vendi ynë. Kosova ka përparësi të shumta, është efektiviteti i kostos, rinia e arsimuar dhe cilësia e ndërmarrësisë në vendin tonë. Ne synojmë integrimin e fuqishëm tregtar me vendet e BE-së dhe principatat e BE-së”, tha Kurti.
“Kosova ka bërë progres në krijimin e vazhdueshëm të një ekonomie të tregut modern dhe miqësor. Ekonomia e Kosovës në vitet e fundit ka shënuar një normë pozitive të rritjes ekonomike, përkundër Sfidave”, tha Anna Carin Platon nga zyra e BE-së.
“Kosova ka potencial edhe më shumë. Ne si Këshill i Investitorëve Evropianë jemi urë lidhëse ndërmjet ekonomisë së Kosovës me investitorët potencial. Gjatë vitit 2022 kontakti i Këshillit ka qenë që 60 investitorë potencial të interesuar për të investuar në Kosovë” , tha Eriola Bibolli, kryesuesja e Këshillit të Investitorëve Evropianë.























