SHSKUK reagon për kërcënimin e drejtoreshës së Klinikës së Neonatoligjisë
E.Hoti/RTKlive
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se është kërcënuar dhe fyer drejtoresha e Klinikës së Neonatoligjisë, Hajrije Ismaili.
Sipas njoftimit të ShSKUK-së kërcënimi ka ndodhur nga xhaxhai i një foshnje që po trajtohej në klinikë.
“Derisa po mbante kujdestarinë e rregullt dhe po ofronte kujdes për foshnjat e porsalindura, në kuadër të Klinikës së Neonatoligjisë, në orët e vona është kërcënuar dhe fyer drejtoresha, Hajrije Ismaili”, thuhet në njoftim.
ShSKUK thotë se sipas rregullit të klinikës, të drejtë në informatë kanë vetëm nënat dhe baballarët, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 13:00.
“ShSKUK dënon kërcënimin ndaj drejtoreshës Ismaili, duke kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin masa ndaj kërcënuesit”, thuhet në njoftim.























