Gërxhaliu: Rriten importet në vlerë, kurse bien në sasi për -14.8%
BKT
Foto arkiv-RTKlive
Ekonomi

Gërxhaliu: Rriten importet në vlerë, kurse bien në sasi për -14.8%

Fadil Sertolli/ RTKlive

Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu tha se indikatorët kyç ekonomik të Kosovës, dëshmojnë se kemi rënie në sasi të eksporteve me -14.77% e rritje në vlerë financiare në +23.09%.

“Ekonomia vendore po ngulfatet nga dominimi i agjendës politike dhe nga komentet e institucionale për trende ekonomike që devijojnë këta parametra në interes të partive politike dhe atyre qeveritare. Trendet ekonomike aktuale së pari vërehen tek sektori privat dhe qytetarët se a janë në rritje apo rënie e më vonë tek institucionet”, ka shkruar Gërxhaliu në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij importet për muajt Janar - Nëntor 2022, krahasuar me vitin paraprak 2021, tregojnë se kanë arritur në rënie në sasi me -14.8% dhe rritje në vlerë +21.3%.

“Reflektimi në taksa apo në të hyra ka arritur rritje prej  +11.64%. Bazuar në efektet e krizës  dhe pandemisë Inflacioni mesatar deri tani është rreth 11.5%. Analiza paraprake dëshmon se në Kosovës  rritja reale e BPV në ketë periudhë është rreth 2.8%. Në kuartalin e parë 4.5 %, në kuartalin e dytë 2.14%, dhe në kuartalin e tret 2.07%”, tha ai.

Sipas tij në takime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare qeveritarët promovojnë rritje enorme të eksportit. “Nga Janari deri në Nëntor 2022 krahasuar me vitin 2021 kemi rënie në sasi të eksporteve me -14.77% dhe rritje në vlerë financiare në +23.09%”, theksoi ai.

Ai vlerësoi se Kosova nuk ka arsye për eufori ekonomike sepse rritja eventuale financiare dhe rënie në sasi e dëshmon impaktin e inflacionit dhe rritjes së importeve dhe ngritje të performancës qoftë në ATK apo në Dogana të Kosovës.

“Mbështetja për sektorin privat duhet të jetë prioritet. Promovimi i produkteve vendore së bashku me media dhe institucionet e vendit e në veçanti forcimi i diplomacisë ekonomike të vendoset si objektiv kryesor. Standardizimi,  certifikimi, menaxhimi i kualitetit , licencimi i produkteve të jetë në funksion të rritjes së besimit të qytetareve për produktet "Made in Kosova" e jo orientimi vetëm kuantitet por më shumë në kualitet”, tha ai.

Duke shtuar se duhet të ketë avancim të dialogut publiko-privat dhe rritje e pagave në mënyrë gjithëpërfshirëse, qoftë për administratë apo sektorin privat.

“Sfidat ekonomike janë të shumta, ato të identifikuara dhe koordinim konkret për tejkalimin e këtyre barrierave të cilat emëruesin e përbashkët e kanë zgjedhjen e problemeve politike dhe sundimin e rendit dhe ligjit”, tha ai.


MË SHUME NGA Ekonomi