Hasani mori pjesë në pritjen vjetore me Kancelarin Federal Olaf Scholz
Fadil Sertolli/ RTKlive
Drejtoresha menaxhuese e OEGJK, Nora Hasani mori pjesë në pritjen vjetore me Kancelarin Federal Olaf Scholz dhe Ministrin e Ekonomisë Habeck, në Berlin. Rreth 250 mysafirë të ftuar, duke përfshirë Kancelarin Federal Olaf Scholz dhe Zëvendës-Kancelarin Robert Habeck, u pritën në Berlin nga Komiteti Lindor i Ekonomisë Gjermane/Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft (OA), për shënimin e përvjetorit të 70 të themelimit.
Drejtoresha menaxhuese e OEGJK-së, Nora Hasani me ftesë të OA mori pjesë në këtë pritje. Komiteti Lindor i Ekonomisë Gjermane/ Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft është partner kyç, shumëvjeçar e strategjik i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.
"Komiteti Lindor i Ekonomisë Gjermane është njëri ndër partnerët kryesor të ekonomisë gjermane. Ai këshillon, ndërmjetëson dhe ndërton ura ndërmjet ndërmarrjeve gjermane, qeverisë gjermane dhe qeverive e përfaqësuesve të sektorit privat të 29 shteteve të Evropës Lindore, Evropës Juglindore, Rusisë dhe Azisë Qendrore. Partnerit tonë, i dëshirojmë edhe më tutje shumë sukses e çdo të mirë në punën e vlefshme që bëjnë për rajonin tonë! I gëzohemi bashkëpunimit tonë në vitet e ardhshme", njofton OEGJK.
Një delegacion biznesesh nga Komitetit Lindor i Ekonomisë Gjermane, nën udhëheqjen e Dr. Thomas Narbeshuber (BASF) dhe Drejtoreshën për Evropën Juglindore të OA, Anja Quiring vizituan Kosovën në Prill 2022, ku patën rast të takohen me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe anëtarët e OEGJK-së.
"OEGJK bashkë me Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, në 2022 ka organizuar forumin e parë ekonomik gjermano-kosovar, që u mbajt në Korrik, në Prishtinë. OEGJK është gjithashtu partner i Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft në Kosovë, për promovimin e programit të bursave të ekonomisë gjermane. Me përkrahje të Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft në Prishtinë, u organizua dhe Digital Summit në Prishtinë, në shtator 2022", njofton OEGJK.

























