Osmani: Statistikat kontribuojnë në përpilimin e politikave të mira
Ekonomi

Osmani: Statistikat kontribuojnë në përpilimin e politikave të mira

V.Thaçi / RTKlive

Në prag të fillimit të projektit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani priti në takim përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

Në këtë takim, u prezantua draft pyetësori i përgatitur nga ana e komisionit, i cili do të përdoret me rastin e fillimit të projektit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në shtator dhe tetor të këtij viti, thuhet në njoftimin e Presidencës në faqen zyrtare Facebook.

Me këtë rast, Osmani theksoi rëndësinë e realizimit të regjistrimit dhe kërkoi që ky projekt të realizohet në përputhje me standardet më të larta evropiane. Tutje, ajo potencoi rëndësinë e gjithpërfshirjes, si dhe përshtatshmërinë e pyetësorit me indikatorët relevant për matjen e progresit të zbatimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Presidentja Osmani vlerësoi se statistikat e përditësuara dhe gjithpërfshirëse kontribuojnë në përpilimin e politikave më të mira të cilat adresojnë çështje të rëndësishme socio-ekonomike në vend.

Osmani konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë të këtij projekti, si dhe iniciativave dhe projekteve të tjera të realizuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

 


MË SHUME NGA Ekonomi