Raporti i Forumi Ekonomik Botëror për Kosovën
Foto: (RFE/RL)
Ekonomi

Raporti i Forumi Ekonomik Botëror për Kosovën

REL

Dëmi mjedisor i shkaktuar nga njeriu, inflacioni i shpejtë, kostot e larta të jetesës, konfrontimi gjeo-ekonomik, dështimi i masave të sigurisë kibernetike dhe pabarazia digjitale janë rreziqet kryesore me të cilat mund të përballet Kosova gjatë dekadës së ardhshme. Kështu thuhet në Raportin për Rreziqet Globale 2023, të Forumit Ekonomik Botëror, që u publikua më 11 janar.

Sipas këtij raporti, kosto e lartë e jetesës është renditur si rreziku më i rëndë botëror për dy vjetët e ardhshme. Aty nënvizohet se kriza ekonomike do të ndajë thëllësisht vendet e pasura dhe ato të varfra, gjë që mund të kthejë mbrapa zhvillimin dhe përparimin njërëzor.

Sa i përket vendeve të rajonit, raporti thotë se Shqipëria rrezikohet më së shumti nga sëmundjet infektive, dështimi i masave të sigurisë kibernetike, inflacion i shpejtë, kontestimi gjeopolitik i burimeve dhe kriza të rënda të furnizimit me mallra.

Natyra që bashkëjeton me ndotjen Fotogaleri Natyra që bashkëjeton me ndotjen (Rel)

Kurse, Serbia, rrezikohet nga konfrontimi gjeo-ekonomik, goditje të rënda të çmimeve të mallrave, konflikte ndërshtetërore, kriza të kostos së jetesës dhe kriza të rënda të furnizimit me mallra.

Maqedonia e Veriut, në anën tjetër, mund të përballet me krizë në kosto të jetesës, kriza të borxhit, dëm mjedisor të shkaktuar nga njeriu, inflacion i shpejtë dhe i qëndrueshëm dhe ngecje në rritje ekonomike.

Edhe Mali i Zi, thotë raporti, mund të pëballet me krizën e kostos së jetesës, konfrontim gjeo-ekonomik, stagnim i rritjes ekonomike, dështim në përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, dëm mjedisor të shkaktuar nga njeriu, kriza të rënda të furnizimit me mallra, kriza të borxhit, si dhe kriza në punësim dhe jetesë.

Pasojat ekonomike të COVID-19 dhe luftës në Ukrainë kanë rezultuar në inflacion të lartë dhe ndryshime në politikat monetare, duke shënuar rritje të ulët ekonomike dhe të investimeve në rang global.

“Rikthimi në ‘jetë normale’ pas pandemisë së COVID-19, u ndërpre shpejt nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, duke sjellë kriza të reja, veçanërisht në ushqim dhe energji”, shkruan raporti.

Raporti vë në dukje se dekada e ardhshme do të karakterizohet nga krizat mjedisore dhe shoqërore, të nxitura nga tendencat gjeopolitike dhe ekonomike. Gjithashtu, humbja e biodiversitetit dhe kolapsi i ekosistemit janë përkeqësimet më të shpejta globale gjatë dekadës së ardhshme.

“Pothuajse 3.6 miliardë njerëz në mbarë botën janë të ekspozuar në mënyrë të rrezikshme dhe të pambrojtur ndaj ndikimeve klimatike. Vendet në zhvillim, pavarësisht kontributit të tyre të kufizuar në ndryshimet klimatike, po mbajnë mbi supe barrën, por asnjë vend dhe asnjë ekonomi nuk është imune nga kriza klimatike”, thotë raporti.


MË SHUME NGA Ekonomi