Kurti flet për sukseset në bujqësi dhe infrastrukturë gjatë vitit 2022
Ekonomi

Kurti flet për sukseset në bujqësi dhe infrastrukturë gjatë vitit 2022

N.Mekolli /RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur sukseset e Qeverisë së tij në bujqësi dhe infrastrukturë gjatë vitit 2022.

Kurti, në një postim në Facebook, ka numëruar disa nga të arriturat e Qeverisë gjatë vitit që lamë pas, si ndarjen e mbi 70 milionë euro për 28 mijë fermerë, ndarjen për plehërimin pranveror për grurë, misër, patate dhe fasule e të tjera.

“Të udhëhequr nga parimi se për një ekonomi të qëndrueshme nevojitet rritje e prodhimit vendor dhe përmirësim i infrastrukturës, gjatë vitit 2022: Kemi ndarë mbi 70 milionë euro për 28 mijë fermerë nga 27 nën-sektorë të ndryshëm; Kemi ndarë 8 milionë  euro për plehërimin pranveror për grurë, misër, patate dhe fasule; Për herë të parë kemi subvencionuar naftën për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro”, shkruan Kurti  

Kryeministri vazhdon ti numërojë të arriturat tjera të Qeveris së tij si: hartimin dhe miratimin e Strategjitë dhe Planet e Veprimit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, dhe për Zhvillimin e Pylltarisë.

“Kemi mbjellë 1 milion fidanë; Kemi pyllëzuar 111 ha sipërfaqe të tokave pyjore; Kemi rehabilituar dhe ndërtuar sistemin e ujitjes për 7,750 ha tokë bujqësore në vlerë prej 4.1 milionë euro për 8 komuna; Më shumë se 100 milionë euro grante nga BE dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave; Filluam punimet e fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Mitrovicë”m thotë Kurti.

Kryeministri përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe asaj Deçan-Plavë, miratimin e marrëveshjes për bashkëfinancim të hartimit të projektit për rrugën Prizren-Tetovë, përfundimin e asfaltimit të rrugëve në veri të vendit, në Jasenovik, Syriganë, Cerajë, Koshtovë, Bistricë e Vllahisë, Dedi dhe Magjerë, miratimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për “Parkun Kombëtar Sharri”, si dhe atë për “Bjeshkët e Nemuna”.


MË SHUME NGA Ekonomi