IEA: Kërkesa globale për naftë këtë vit do të arrijë nivelin rekord
Ekonomi

IEA: Kërkesa globale për naftë këtë vit do të arrijë nivelin rekord

AA

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) parashikon se në vitin 2023 kërkesa globale për naftë do të arrijë një nivel rekord prej mbi 100 milionë fuçi në ditë.

Në raportin e saj mujor të tregut të naftës të publikuar sot, IEA rishikoi parashikimin e saj për kërkesën globale të naftës për këtë vit duke e rritur me 80 mijë fuçi në ditë në krahasim me parashikimin e saj të mëparshëm.

Sipas kësaj, kërkesa globale për naftë pritet të arrijë në 101.720.000 fuçi në ditë këtë vit, me një rritje prej 1.870.000 fuçi në ditë krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shumë regjistrohet si më e larta e të gjitha kohërave.

Është llogaritur se kërkesa do të jetë 46.420.000 fuçi me një rritje prej 470 mijë fuçi krahasuar me një vit më parë në rajonin e OECD-së dhe 55.3 milionë fuçi me një rritje prej 1.4 milionë fuçi në vendet jashtë OECD-së.

Vlerësohet se rreth gjysma e rritjes së pritshme të kërkesës globale për naftë do të vijë nga Kina, ku janë hequr kufizimet e COVID-19.

Nga ana tjetër, karburanti i avionëve pritet të vazhdojë të jetë burimi më i madh i rritjes, me një rritje prej rreth 840 mijë fuçi në ditë.

Furnizimi global i naftës ra në dhjetor të vitit 2022

Sipas raportit, prodhimi ditor global i naftës është ulur me 860 mijë fuçi krahasuar me muajin e kaluar dhe ka rënë në 101 milionë e 10 mijë fuçi.

Prodhimi ditor i naftës bruto i OPEC-ut u ul me 40 mijë fuçi në dhjetor 2022 krahasuar me muajin paraardhës dhe u bë 29 milionë e 19 mijë fuçi. Gjatë kësaj periudhe, prodhimi jo konvencional i OPEC-ut, përveç naftës bruto, u regjistrua në 5 milionë e 290 mijë fuçi në ditë. Sipas kësaj, prodhimi ditor i naftës i OPEC-ut arriti në 34 milionë e 480 mijë fuçi muajin e kaluar.

Prodhimi ditor i naftës në vendet jashtë OPEC-ut është ulur me rreth 780 mijë fuçi në ditë krahasuar me një muaj më parë dhe ka arritur në 66 milionë e 520 mijë fuçi.

Aktivitetet e naftës, të cilat u ndërprenë nga stuhia e borës që përfshiu një pjesë të madhe të SHBA-së, rezultuan efektive në uljen e prodhimit.


 


MË SHUME NGA Ekonomi