Miratohet Vendimi për masat emergjente për furnizimin me energji
V. Thaçi / RTKlive
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i drejtuar nga Ferat Shala, kryetar, mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror.
Në këtë mbledhjen komisioni shqyrtoi Raportin vjetor të Punës së Komisionit për vitin 2022, si dhe Vendimin e Qeverisë (nr. 04/118 datë 11.01.2023) për masat emergjente për furnizimin me energji.
Fillimisht, kryetari Shala theksoi se debati lidhur me Raportin vjetor të Punës së Komisionit për vitin 2022 është ezauruar, duke e hedhur kështu në votim po të njëjtin raport. Komisioni me votat e anëtarëve prezentë miratoi raportin në fjalë.
Tutje, për ta prezantuar dhe arsyetuar Vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizimin me energji, para komisionit i ftuar ishe zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Getoar Mjeku.
Sipas tij, ky vendim synon caktimin e masave emergjente për furnizimin me energji, në kohëzgjatje prej gjashtëdhjetë ditësh.
Pas raportimit pasoi debati, në të cilin, anëtarët e komisionit parashtruan pyetje për zëvendësministrin, duke marrë kështu përgjigjet nga ana e tij.
Pas shterimit të debatit, komisioni me shumicë votash miratoi Vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizimin me energji.