Sejdiu: Punëtorët të pakënaqur me mosdefinimin e pagesës së kujdestarive
Shëndetësi

Sejdiu: Punëtorët të pakënaqur me mosdefinimin e pagesës së kujdestarive

Albulena Bytyqi /Radio Kosova

Punëtorët shëndetësorë, kanë shprehur pakënaqësi rreth Ligjit të ri të pagave. Oda e Mjekëve të Kosovës e vlerëson se mos definimi i qartë i pagesës së kujdestarive do të ndikojë drejtpërsëdrejti në salla operative. Ata kundërshtojnë që kujdestaritë e mjekeve t’u kompensohen me ditë pushimi.

Koeficient i ri për punëtorët shëndetësorë që përfshin mjek, specialist i mjekësisë familjare, stomatolog specialist, farmacist specialist, farmacist klinik, ekspert i fizikës mjekësore parashihet ta kenë koeficientin 12 në Ligjin e ri të pagave. Kryetari i Odës se Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, i tha Radio Kosovës se pas daljes në diskutim publik të ligjit të ri të pagave, mjekët kanë pasur pakënaqësi për pagesën e kujdestarive. Sipas Sejdiut, pagesa e kujdestarive me ligjin e ri ka qenë e paqartë.   

“Pakënaqësi kemi pasur rreth kujdestarive, sepse s’ka qenë e qartë a do të paguhen apo do të jenë si shtesa. Nuk është shumë e qartë se si do të paguhen kujdestarit, edhe nëse paguhen si shtesa, atëherë mospagesa e një kujdestarie nëse kthehet në dite të lira, do të këtë telashe me sallat operative e do te dështojnë shumë programe”, ka thënë ai.

Sejdiu, tutje ka thënë se pakënaqësitë e tyre i kanë dërguar me shkrim por që nga ana e qeverisë nuk ka pasur asnjë reflektim.

 “Ne i kemi dërguar komentet tona dhe nuk na ka thirrë askush të diskutojmë me ta dhe në momentin që s’ka pasur asnjë reagim dhe reflektim në kërkesat tona më shkrim, d.m.th  është parë që është  injoruar komplet dhe nuk është parë e arsyeshme që të takohen me ne dhe të diskutojmë”, ka thënë ai.

Sejdiu, tutje sqaron se nëse vlera e koeficientit do të dalë me pak se 120 euro, pakënaqësitë do të jenë të shprehura me vazhdimin e largimit të mjekëve të ri jashtë Kosovës, ndërsa mjekët specialistë do të vazhdojnë të orientohen nga sektori publik në atë privat.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi