Feka: Pas vërshimeve gjendja në rrugët e Kosovës është e mirë
Mejreme Tahirukaj / Radio Kosova
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës thotë se pas vërshimeve që ndodhën ditëve të fundit, gjendja në rrugët e Kosovës është e mirë. Qamil Feka nga Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve thotë për Radio Kosovën se të gjitha rrugët në vend, janë të qarkullueshme, përveç disa të tjera në viset malore, andaj vozitësve u rekomandohet kujdes i shtuar.
Pas reshjeve të shiut dhe vërshimeve, nëpër disa rrugë të vendit ka pasur rrëshqitje të dheut dhe gurëve ndërsa pas intervenimit nëpër këto rrugë, aktualisht të gjitha rrugët në territorin e Kosovës janë të kalueshme. Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën Qamil Feka Menaxher i Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve.
“Është bërë intervenimi me kohë dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme. Jemi të përgatitur edhe për borën në ardhje dhe asnjë rrugë nuk do të mbylle.”,tha Feka.
Ai tha se disa rrugë janë të vjetruara dhe të amortizuara siç është rasti me rrugën në drejtim të Malishevës, prandaj u bëhet thirrje vozitësve për kujdes më të shtuar në këtë aks rrugor.
“Vozitësit duhet të jenë të kujdesshëm sepse ato rrugë jo për shkak të vërshimeve ose ngricave janë dëmtuar por në vetvete janë të amortizuara ngase iu ka kaluar edhe e intervenimit, intervenimit jo kualitativ siq ka ndodhë në të kaluarën. Ndërkaq Ministria e Infrastrukturës me kompanitë e kontraktuara është në nivel detyre dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme”, tha ai.
Sipas Fekës, autostradat janë të kalueshme, përderisa edhe në pikë-kalimet kufitare, kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje në rast nevojë, po intervenojnë në kohë.