Opozita për dorëheqjet në SHSKUK: Pasojë e keqmenaxhimit
Albulena Bytyqi / Radio Kosova
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka emëruar ushtruesen e re të Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, dr. Narqize Arenliu-Hoxhaj. Emërimi i saj erdhi pasi mëngjesin e sotëm dha dorëheqje nga kjo pozitë, Pranvera Zejnullahu. Opozita i konsideron dorëheqjet si pasojë e klaneve të interesit dhe keqmenaxhimit.
Dy dorëheqje kanë ndodhur në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës brenda 24 orëve. Pas dorëheqjes së Arben Bislimit nga pozita e drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në QKUK, mëngjesin e sotëm, dorëheqje dha edhe ushtruesja e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu. Ndërkohë, Bordi Drejtues i SHSKUK-së, e zëvendësoi atë menjëherë me dr.Narqize Arenliu – Hoxha. Anëtari i Komisionit parlamentar për shëndetësi nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, tha për Radio Kosovën se situata aktuale është pasojë e klaneve të interesit.
“Gjatë këtyre dy viteve të fundit kemi parë vetëm konfrontime të grupeve të interesit mes klaneve të Vetëvendosjes e Listës Guxo, për vendosjen e njerëzve të tyre në shëndetësi në pozita udhëheqëse dhe për pasojë brenda dy viteve të fundit shumicën e pozitave i kemi me ushtrues detyre”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.
Gjatë ditës së djeshme dha dorëheqje edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi. Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me të lidhur me dorëheqjen e tij, por ai ka qenë i paqasshëm. Sidoqoftë, mediat kanë raportuar se dorëheqja e Bislimit ka ardhur si pasojë e presioneve nga Ministria e Shëndetësisë. Anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e AAK-së Shemsedin Dreshaj, nuk e përjashton mundësinë që kjo dorëheqje të ketë ardhur si rezultat i keqmaxhimit.
“Nuk mund të them që dorëheqjet kanë ardhur si pasojë e presionit politik, por mund të ketë lidhje me keqmenaxhim. Situata në shëndetësi është e keqe dhe uroj që përzgjedhjet që do të vijnë të jenë me të mira që ta çojnë procesin e shëndetësisë përpara”, tha Dreshaj për Radio Kosovën.
Lidhur me zhvillimet e fundit në QKUK, Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se a ka pasur presion nga ana e ministrisë lidhur me dorëheqjet e fundit, por nuk ka marrë përgjigje. Ndryshe Pranvera Zejnullahu që dha sot dorëheqje nga pozita e ushtrueses së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ishte emëruar në këtë pozitë në gusht të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së Valbon Krasniqit.