Kërkohet ruajtja e konfidencialitetit ndërmjet pacientit e mjekut
Foto; Arkiv
Shëndetësi

Kërkohet ruajtja e konfidencialitetit ndërmjet pacientit e mjekut

Albulena Bytyqi/Radio Kosova

Konfidencialiteti pacient-mjek duhet të ruhet nga personeli shëndetësor, thotë Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK). Ndërsa nga Oda e Mjekëve të Kosovës e pranojnë që në Kosovë ka shkelje të tilla. Sipas tyre, shumë herë u është dhënë vërejtje menaxhmentit të QKUK-së që të mos zbulojnë detaje para publikut për pacientë, sepse kjo është shkelje e ligjit.

Çelësi i marrëdhënies së mirë të mjekut dhe pacientit është mirëbesimi që e përfshin privatësinë dhe konfidencialitetin e pacientit gjatë trajtimit. Kështu thotë për RTK-në Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë. Ai tutje thotë se mjeku e ka obligim të ruajë çdo gjë që zbulon pacienti për shëndetin e tij.

“Për mua është e palogjikshme edhe vizitat e mëngjesit që bëhen nëpër spitale. Për shkak se pacienti ia beson privatësinë vetëm një mjeku të caktuar p.sh. një grua në gjinekologji kur shkon në dhomë i hyjnë 20 meshkuj për vizitë, nuk është diçka e përshtatshme. Pacientët gjithmonë duhet të japin dritën jeshile për privatësinë e tyre”, deklaroi Kodra.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës e pranon që ka probleme në këtë drejtim për sa i përket konfidencialiteti mjek-pacient. Sejdiu thotë se disa herë Oda e Mjekëve i ka dhënë vërejtje menaxhmentit në QKUK, për detajet të cilat i kanë dhënë mjekët për pacientet në raste të aksidenteve ose plagosjeve. Sipas Sejdiut, këto veprime janë të dënueshme me ligj.

?Është e ndaluar me ligj kur kemi mjekët ne aksidente dalin në televizion dhe flasin për gjendjen e pacientit me detaje. p:sh. ka hyr  plumbi këtu apo atje, është dëmtuar kjo apo ajo. Ato janë çështje konfidenciale, krejt çka duet të informohet publiku është gjenda e pacientit. Që pacienti është në gjendje të rëndë apo të lehtë por pa detaje”, deklaroi Sejdiu.

Ky i fundit thotë se këto gjera viteve të fundit po ndodhin për shkak se menaxherët nuk i dinë ligjet.


MË SHUME NGA Shëndetësi