KEDS: Vetëm nga bojleri, 15 për qind më shtrenjtë vjen rryma
Foto: KEDS
Ekonomi

KEDS: Vetëm nga bojleri, 15 për qind më shtrenjtë vjen rryma

RTKlive

Ekspertët e Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) kanë bërë një sërë llogaritjesh për shpenzim sa më racional të energjisë elektrike, dhe si përfundim thonë se pas ngrohjes, bojleri llogaritet si shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike me 15 për qind të konsumit.

Sipas ekspertëve në KEDS, bojleri në shtëpitë tona, varësisht nga madhësia, lloji i tij numri i anëtarëve të familjes dhe kohës sa qëndron i ndezur shpenzon prej 40-60 për qind të faturës totale mujore gjatë sezonit të dimrit nëse këtu  nuk e përfshijmë konsumin e energjisë elektrike për ngrohje.

“Sipas përllogaritjeve të tyre, ne mund të kursejmë prej 80-100 kWh në muaj ose mesatarisht 13%-15% nga fatura totale nëse e ndezim bojlerin gjatë kohës së tarifës së lirë, e cila në dimër është nga ora 22:00-07:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00-08:00, nëse e ulim temperaturën e termostatit në 55℃-60℃, dhe nëse e reduktojmë përdorimin e ujit të ngrohtë”, thuhet në njoftim.

Mbi të gjitha, ekspertët në KEDS sugjerojnë se bojleri shpenzon më pak rrymë kur kyçet sipas nevojës, sesa kur është vazhdimisht i kyçur.

“T’u përmbahemi këtyre sugjerimeve në praktikë që të kursejmë në faturat tona dhe të mos e ngarkojmë rrjetin elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga KEDS.


MË SHUME NGA Ekonomi