Murati: LDK mbron biznesmenët, nuk e përkrahu faljen 100 euro tatimpaguesve
Fadil Sertolli / RTKlive
Ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook ka akuzuar opozitën më konkretisht Lidhjen Demokratikë të Kosovës, e cila sipas tij, po i mbron biznesmenët kur bëhet fjalë për tatimin në pronë.
Duke e sqaruar edhe një herë propozimin e tij që t’u falen deri në 100 euro tatimpaguesve, ministri Murati thotë se propozimi i tij po refuzohet nga opozita dhe se ata po mbrojnë biznesmenët.
“Është shumë e thjeshtë, me propozimin tim, që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë: 85% e tatimpaguesve nuk do të paguanin ASGJË për vitin 2023 (ata që tashmë kanë paguar, u llogaritet si parapagim për vitin vijues), 10% të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro për vitin 2023. Pra vetëm Top 5% e tatimpaguesve (që përfshin edhe bizneset) do tu binte të paguanin më tepër se 100 euro për tërë vitin 2023”, shkruan Ministri Murati.
Mirëpo, siç thotë ai, opozita e kundërshton këtë propozim që do të lironte 95% të tatimpaguesve, dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër.
“A e dini pse? Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa”, ka shkruar mes tjerash Murati.
Sipas tij, me propozimin e opozitës konkretisht LDK-së: 95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë.
“Nëse e marrim vetëm një rast të një biznesmeni ndërtimtar, me vlerësimin e vjetër do të paguante 27 mijë euro më pak tatim sesa me vlerësimin e ri - raste të tilla ka shumë. Një tjetër pronar marketesh, me vlerësimin e vjetër që po e kërkon LDK, do t’i binte të paguajë rreth 70 mijë euro më pak”, thotë Murati.
Po ashtu ai thotë se kushdo që me të vërtetë ka hallin e qytetarëve, e mbështetë propozimin që secilit t’i falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë.
“E ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të mos u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët”, ka shkruar Murati ndër të tjera në Facebook.